Presidenti serb Vuçiç: Amerika po drejton armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës!

vovalbania January 14, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti serb Vuçiç: Amerika po drejton armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç tha se me armatimin e mëtejshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga vendet e NATO-s, po synohet largimi i gjurmëve të Serbisë në Kosovë, si edhe largimi i serbëve nga atje. Komentet i bëri gjatë një vizite në Agjencinë e Sigurisë Ushtarake, pak ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me vlerë 75 milion dollarë.

Presidenti serb, i cili paralajmëroi se vendi i tij do të shpenzojë rreth 740 milion euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatimeve, u shpreh se “Serbia duhet ta kuptojë se çfarë po ndodh rreth saj dhe duhet ta ruaj paqen, qëndrueshmërinë e të forcojë ushtrinë”.

Ne e dimë që këto po i udhëheq Amerika. Këtë po e bëjnë ekspertët e mëdhenj. Ata (Forca e Sigurisë së Kosovës) do të jenë si mendërisht, fizikisht dhe në organizim, tepër të gatshëm. Amerikanët dhe NATO, këtë po e bëjnë në mënyrë jashtëzakonisht serioze e të përgjegjshme. Ata po e bëjnë këtë dhe do të formojnë forca jashtëzakonisht të fuqishme, ashtu siç i kanë formuar në Kroaci dhe vende të tjera.

Tre ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova ka kërkuar blerjen e 24 sistemeve dhe 246 raketave Javelin FGM-148F. Në këtë shitje do të përfshihen edhe elementët logjistikë të stërvitjes e përdorimit të tyre. Vlera e përgjithshme llogaritet të jetë 75 milion dollarë.

Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri europian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Europë.

Tani, kërkesa i shkon Kongresit Amerikan që shqyrton shitjen e armëve për vendet e huaja.

Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësisnë e saj tokësore duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare.

Sipas njoftimit, shitja e propozuar e sistemeve Javelin nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Presidenti serb Vuçiç tha se armatosja e Kosovës po ndodh në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Shkatërrimi i rendit ndërkombëtar me armatimin e mëtejshëm të të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës po ndodh pothuajse çdo ditë nga disa shtete, në radhë të parë nga Turqia, por edhe vende të tjera të NATO-s, siç kemi parë dje Kroacinë e vende të tjera.

Në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së, kjo synon jo vetëm të heqë plotësisht çdo gjurmë të ekzistencës së Serbisë nga territori i Kosovës, por të largojë edhe popullin serb.

Kosova ka buxhetin me rritjen më të shpejtë për ushtrinë dhe policinë. Ushtria e Serbisë do të vazhdojë të armatoset, por mundësitë e Serbisë janë të vogla në krahasim me superfuqitë si Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe vende të tjera.

Në dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një proces që zgjat 10 vjet e nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 5 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, mes tyre qindra amerikanë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65697 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE