Koreja e Veriut tregon “muskujt”, teston një raketë hipersonike!
Koreja e Veriut ka testuar një raketë të re me rreze të mesme veprimi, që operon me lëndë djegëse të ngurta, e pajisur me një kokë bërthamore hipersonike, përderisa Peniani po synon të prodhojë armë më të fuqishme që mund të godasin objektivat e largëta amerikane në rajon.
Njoftimi i sotëm nga media shtetërore e Koresë së Veriut vjen një ditë pasi ushtritë e Koresë së Jugut dhe Japonisë detektuan lëshimin e një rakete nga një zonë afër kryeqytetit verikorean, Penian. Ky ishte testimi i parë balistik i Veriut më 2024-ën.
Lëshimi i raketës vjen dy muaj pasi Koreja e Veriut tha se ka testuar me sukses motorët e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi e që operon me lëndë djegëse të ngurta. Ky njoftim paraqet një përparim të armëve koreano-veriore që mund të shënjestrojnë bazat ushtarake amerikane në Guam dhe Japoni.
Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA) njoftoi se testimi i së dielës synonte të verifikonte besueshmërinë e motorëve me lëndë të ngurta dhe aftësitë manovruese të kokës hipersonike. KCNA tha se testimi u krye me sukses, por nuk dha më shumë detaje.
Ushtria e Koresë së Jugut deklaroi se raketa fluturoi rreth 1.000 kilometra para se të binte në ujërat në mes të Gadishullit Korean dhe Japonisë.
Raketat ekzistuese balistike të Veriut me rreze të mesme veprimi përfshijnë edhe Hwasong-12 e ato mund të jenë në gjendje të arrijnë qendrën e ushtrisë amerikane në Guam në Paqësor.
Raketat që ndërtohen me shtytës që funksionojnë me lëndë të ngurta mund të lëshohen më shpejt dhe lëvizin më lehtë e teknikisht ua bëjnë më të vështirë armiqve që t’i detektojnë.
Që nga viti 2021, Koreja e Veriut ka testuar koka hipersonike, që janë pesë herë më të shpejta sesa shpejtësia e zërit. Nëse Veriu perfeksionon këto armë, sisteme të tilla potencialisht mund të paraqesin sfidë për sistemet mbrojtëse kundëraketore në rajon, për shkak se këto lloje armësh kanë shpejtësi të madhe dhe janë të afta të manovrojnë.
Tensionet në Gadishullin Korean janë në nivelin më të lartë në vitet e fundit pasi lideri komunist Kim Jong Un, intensifikoi demonstrimin e armëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët u janë kundërpërgjigjur testimeve koreano-veriore me forcimin e stërvitjeve të tyre të përbashkëta ushtarake.