Kosovë, 25-vjetori i Masakrës së Reçakut/Nderohen viktimat!
Në Kosovë shënohet 25-vjetori i masakrës së Reçakut ku më 15 janar 1999, në këtë fshat të Shtimes, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Gjatë vendosjes së kurorave me lule, presidentja Vjosa Osmani, falënderoi ish-ambasadorin amerikan William Walker, i cili ishte i pranishëm në ceremoni.
Gjatë vitit 1999, Walker shërbeu si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) e kishte dokumentar krimet e kryera në këtë fshat.
Osmani vuri në dukje se Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës. Presidentja tha se për 25 vjet, Walker ka punuar që të mbrojë të vërtetën e Reçakut, por shtoi se kjo ngjarje ende mohohet në Serbi.
…në një kohë kur për fat të keq, regjimi i sotëm i presidentit serb, Aleksander Vuçiç, që është vazhdimësi e regjimit të Millosheviçit, jo vetëm që mohon masakrën e Reçakut, por edhe i arreston e torturon ata të cilët vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë gjatë luftës.
Për William Walkerin, ky përvjetor është një ngjarje emocionuese, por shtoi se banorët e këtij fshati sakrifikuan që qytetarët të kenë sot Republikën e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se masakra e Reçakut “e tronditi opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë ndërkombëtare dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë”.
Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se pas masakrës së Reçakut, bota demokratike e “kuptoi se gjuha që njeh Serbia është gjuha e forcës”, referuar bombardimeve të NATO-s mbi objektivat serbe.
Pas masakrës së Reçakut, në marsin e vitit 1999, NATO-ja sulmoi objektivat ushtarake policore në ish-Jugosllavi. Pas 78-ditësh sulmesh, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-1999, janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Më shumë se 1 mijë e 600 persona ende vazhdojnë që të jenë të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.