Matja e audiencës së televizioneve, AMA nis diskutimet për ndryshimet ligjore!
Autoriteti i Mediave Audiovizive organizoi këtë të hënë tryezën e parë për matjen e audiencës në tregun audioviziv shqiptar dhe modalitetet për realizimin e këtij procesi.
Drejtuesja e AMA, Armela Krasniqi sqaroi se projekt-propozimet për ndryshimet përkatëse në ligj janë ende në fazë konsultimi dhe se do t’i shërbejnë industrisë së medias.
“Në tregun shqiptar audioviziv operojnë 136 OSHMA, që prodhojnë përmbajtje apo programe audio dhe audiovizive, për një popullsi prej rreth 2.9 milion banorësh. Matja e audiencës është një domosdoshmëri sepse më shumë se askujt tjetër i shërben vetë operatorëve për t’u treguar sasinë dhe përbërjen e audiencës që ndjek programacionin e tyre, trendet dhe shijet e tyre, kohën e duhur dhe prespektivën e përzgjedhjeve për të ardhmen. Pra është një proces jashtëzakonisht i dobishëm në kontekstin afatmesëm dhe afatgjatë të biznesit mediatik”, tha kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
E pranishme në këtë të takim, drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha ngriti shqetësimin për implementimin dhe ecurinë e mbarëvajtjes të këtij modeli.
“Mendoj se është në interesin tonë. Problemi qëndron gjithmonë tek ekzekutimi. Unë e di si funksionojnë çështjet me interes në Shqipëri, dhe grupet e interesave shumë rrallë mund të bëhen bashkë për të arritur në një konkluzion të përbashkët. Kështu që unë besoj se duhet gjetur më shumë dëshira se vullneti i përbashkët, modalitet që do të arrijmë në konkluzionin për ta implementuar dhe pastaj për ta ndjekur. Shqetesimet e mia si Top Channel janë, e para si do të bëjmë ne bashkë pas kësaj dite. Ne të gjithë jemi dakord, besoj shumica do të jenë të gjithë dakord se si po funksionojnë dhe se për çfarë po i investojnë paratë në mediat e veta. E dyta, kush do i financojë dhe e treta, si do të jetë vazhdimësia. Kush është komiteti, kush do të jetë kryetari që merr vendimet. Këto janë çështjet që duhet të diskutohen më shumë”, u shpreh Hoxha.
Shqetësime këto të drejta për drejtuesen e AMA, Armela Krasniqi që në fund të takimit sqaroi se palët ranë dakord në krijimin e një grupi pune, anëtarët e të cilit do të jenë të gjithë operatorët audiovizivë dhe agjencitë e reklamave, si paraprijës i Komitetit të Përbashkët të Industrisë.
“Shumë shpejt, brenda janarit, do të zhvillojmë dhe vendet e tjera”, u shpreh Krasniqi.
AMA në këtë proces do të ketë rol koordinues dhe në takimin e radhës do të sjellë modele të marra nga vendet e tjera të rajonit në mënyrë që operatorët të zgjedhin modelin më të mirë dhe të përshtatshëm për ta.