Presidenti Begaj në seancë? Bardhi: Nuk na është njoftuar zyrtarisht!
Lidhur me diskutimet se presidenti Bajram Begaj do të jetë prezent në seancën plenare në nisje të sesionit të ri, ka reaguar deputeti Gazment Bardhi.
Ai u shpreh se nuk ka një njoftim zyrtar se ai do të jetë pjesë e kësaj seance, ndërsa i bëri thirrje të mos keqpërdoret nga mazhoranca si fasadë.
Bardhi ka ripërsëritur se opozita është e vendosur për të mos lejuar funksionimin normal të Parlamentit, deri në mundësimin e të drejtave të saj kushtetuese.
Postimi i Bardhit:
Sa i takon opozitës, Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj ka qenë gjithmonë i mirëpritur në Kuvendin e Shqipërisë, si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Presidenti Begaj nuk ka qenë prezent në asnjë nisje të sesionit parlamentar.
Nga diskutimet që kanë rrjedhur në media nga mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, jemi njohur me faktin që Presidenti Begaj do të jetë prezent sot në seancë plenare për të mbajtur një fjalë përshëndetëse. Edhe pse lajmi është konfirmuar nga media, dua të sqaroj se kjo nuk na është njoftuar zyrtarisht as nga Kuvendi dhe as nga Presidenca.
Për të shmangur çdo keqkuptim, dhe duke mos dashur të bësojmë se Presidneti i Republikës është përfshirë në një skenar të provokimit të opozitës, dua të konfirmoj se Grupi Parlamentar i PD dhe opozita në Parlament janë në një betejë me mazhorancën për të fituar të drejtat kushtetuese të opozitës që mohohen prej muajsh nga Edi Rama. Kjo betejë do të vijojë edhe në seancën e sotme e deri në plotësimin e kërkesave tona kushtetuese.
Në vlerësimin tonë Presidenti i Republikës duhet të kontribuojë në funksionimin normal të Parlamentit, duke duke ndërmarrë akte që nuk rrënojnë parlamentarizimin dhe lejojnë opozitën të përmbush rolin e saj kushtetues në një shoqëri demokratike, ku veçojmë të drejtën për kontroll parlamentar.
Presidenti Begaj ka të gjitha mundësitë kushtetuese për të garantuar respektimin e Kushtetutës dhe ne gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje që të mos keqpërdoret nga mazhoranca si fasadë për një normalitet të rremë në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita është e vendosur për të mos lejuar funksionimin normal të Parlamentit, deri në mundësimin e të drejtave të saj kushtetuese.