Reshje bore në veri, ARRSH: Qarkullim pa probleme!
Gjatë natës janë kthyer reshjet e dëborës me intensitet të ulët në akset Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë dhe në Qafë Thanë. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) informon se grupet e punës me mjetet borëpastruese në terren kanë bërë pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.
Sipas ARRSH-së, qarkullimi vijon pa probleme. Ndërkaq, përsëriti apelin:
Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike si rezultat i masave ajrore të lagështa me origjinë veriperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura, pasuar nga reshje shiu.
Fillimisht, reshjet do të jenë me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit dhe më pas fitojnë intensitet mesatar e lokalisht në intervale të shkurtra në veriperëndim të vendit dhe në zonat urbane deri të lartë, në formën e shtrëngatave e stuhive.
Reshjet e borës nisin në Alpe në formën e stuhive të dëborës, ndërsa në relievet malore në veri, verilindje dhe juglindje të vendit në lartësitë mbi 600 m janë me intensitet të ulët deri mesatar.
Era fryn me drejtim juglindje – jugperëndim e me shpejtësi mesatare 1-8 m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.
Temperaturat parashikohen:
Shkodër
5/9
Re shi
Kukës
0/7
Re shi/borë
Lezhë
5/10
Re shi
Dibër
0/6
Re shi/borë
Durrës
6/13
Re shi
Tiranë
5/13
Re shi
Elbasan
4/11
Re shi
Berat
5/13
Re shi
Vlorë
7/14
Re shi
Korçë
0/6
Re shi/borë
Gjirokastër
4/10
Re shi
Sarandë
6/13
Re shi