Kryetarja e OSBE në Shqipëri takim me deputetët e opozitës për reformën zgjedhore: Jemi të gatshëm të asistojmë…
Kryetarja e misionit të OSBE në Shqipëri Clarisse Pasztory, ka zhvilluar një takim me deputetët e opozitës për të diskutuar për reformën zgjedhore
Prezenca e OSBE në Shqipëri ka shpërndarë në “X” postimin e kryetares së Clarisse Pasztory, e cila shprehet se në takim ishin të pranishëm Gazment Bardhi, Fatmir Mediu, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili. Pasztory thekson se ‘OSBE është gati të asistojë një proces reforme në kohë dhe gjithëpërfshirës”.
“Pata një takim të zgjeruar me deputetët e opozitës Gazment Bardhi, Fatmir Mediu, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili, për të diskutuar reformën zgjedhore dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. OSBE është gati të asistojë një proces reforme në kohë dhe gjithëpërfshirës“.
Pas takimit Gazment Bardhi deklaroi:
“Përfaqësues të opozitës u takuan sot me Kryetaren në Detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri zj. Clarisse Pasztory. E falenderova për angazhimin ndër vite që OSBE-ODIHR ka dhënë për zgjedhjet në Shqipëri. Riktheksova se për opozitën Reforma Zgjedhore është një pritoritet absolut, që është bllokuar prej 2 viteve dhe po vazhdon të mbahet e bllokuar nga Edi Rama, duke mos lejuar përfaqësimin proporcional të opozitës në këtë Komision.
E informova se për opozitën është një tallje e madhe me shqiptarët farsa e “rifillimit të punës” vetëm nga mazhoranca, pa respektuar vullnetin e opozitës, duke ripërsëritur gjërat që u bënë njëherë si farsë edhe 2 vite më parë.
Kërkesa drejtuar ODIHR për asistencë e publikuar disa ditë më parë në media është ripërsëritje e të njëjtës kërkesë të bërë në 17 Qershor 2022. Edhe pse ODIHR më datë 14 Korrik 2022 ka konfirmuar gadishmërinë për asistencë dhe ka kërkuar pikat e kontaktit, asnjë një hap nuk u hodh më tej. Ripërsëritja e të njëjtave shkresa dhe të njëjtit rend dite, është një farsë për t’u shitur shqiptarëve një punë që nuk po bëhet prej 2 viteve pa asnjë shpjegim dhe që nuk kanë ndërmend ta bëjnë. Duan thjeshtë ta mbajnë të bllokuar, për të bërë sikur punojnë, por pa prodhuar asgjë konkrete.
Nëse opozita në Parlament nuk do kishte ngritur shqetësimin prej 4 muajsh për bllokimin e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe nevojën për të mbajtur përgjegjës kolegët që nuk kanë bërë atë për të cilën i mandatuam dhe besuam 2 vite më parë, situata do vazhdonte të lihej në harresë sipas interesit të Edi Ramës për të mos garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Reforma Zgjedhore duhet të jetë konsensuale, gjithëpërfshirëse dhe transparente, dhe duhet të nis me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të vitit 2020. Tentativa për të ripërsëritur të njëjtin skenarë si ai i vitit 2020 për një reformë zgjedhore pa konsensusin opozitës, do të minonte zgjedhjet e ardhshme ende pa nisur.
Që reforma të jetë konsensuale, gjithëpërfshirëse dhe të adresojë problemet reale të zgjedhjeve, është e nevojshme që përfaqësuesit e opozitës të kenë besimin e deputetëve të opozitës, dhe jo të jenë aty si shprehje e vullnetit të Edi Ramës apo një minorance që ka mandate nga populli opozitar, por vepron e shkëputur nga interesi i popullit opozitar. Konsensus dhe gjithëpërfshirje me vullnet të njëanshëm të Edi Ramës nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë.”