Kosovë, opozita kërkon uljen e tarifave për energjinë elektrike!

vovalbania January 18, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kosovë, opozita kërkon uljen e tarifave për energjinë elektrike!

Përmes një draft-rezolute, tre parti opozitare kërkojnë uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë. Dokumenti me 5 pika të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e prezantoi Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës. Shala tha se çmimet e energjisë janë “të papërballueshme” për qytetarët.

Kjo rritje e çmimit është e papërballueshme. Prandaj, duhet zbritur kjo tarifë sepse energjia përfshihet në grupin e produkteve të nevojshme për konsum si buka, kripa, uji, vaji, etj. Prandaj, edhe çmimi duhet të bëhet i përballueshëm.

Përmes draft-rezolutës, kërkohet që ZRRE-ja dhe Qeveria të ulin çmimin e energjisë në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar. Po ashtu, aty kërkohet të bëhet anulimi i bllok-tarifës për konsumatorët familjarë.

Qeveria të marrë masa për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, konfirmoi se “ekzekutivi po punon për gjetjen e zgjidhjes për situatën në sektorin energjetik”. Por, kritikoi draft-rezolutën e opozitës.

Rezoluta e prezantuar nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes. Kjo nuk është risi në vetvete, pasi zgjidhjet që i keni ofruar në vazhdimësi kanë qenë seancat e jashtëzakonshme për gjendjen në sektorin e energjisë, komisione hetimore për sektorin e energjisë. Ndërkaq, në vazhdimësi keni abstenuar në votime në vendimmarrje në zhvillimin e politikave në sektorin e energjisë. Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përkrahë këtë rezolutë.

Tarifat e fundit të energjisë janë miratuar në muajin prill të vitit të kaluar. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë sasi, iu llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE