Po Po Po, Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha nominohen të treja në ‘iHeartRadio Music Awards 2024!’
‘iHeartRadio Music Awards 2024’ ka publikuar listën e plotë të nominimeve për vitin 2024 dhe pjesë janë dhe tre këngëtaret me origjinë shqiptare, Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha. Edicioni i 12-të i kësaj ceremonie të rëndësishme të ndarjes së çmimeve do të përmbajë prezantime çmimesh në kategoritë e ndryshme, performanca live nga artistët më të mëdhenj në muzikë, mysafirë të papritur dhe bashkëpunime, dhe do të pasqyrojë historitë e artistëve fitues në rrugën e tyre drejt numrit 1. Artistët më të nominuar sivjet përfshijnë emra si: 21 Savage, Beyoncé, Billie Eilish, Blink-182, Carin León, David Kushner, Doechii, Doja Cat, Drake, Dua Lipa, Fall Out Boy, Foo Fighters, Grupo Frontera, Ice Spice, Jelly Roll, Jung Kook, Karol G, Lil Durk, Luke Combs, Megan Moroney, Metro Boomin, Miley Cyrus, Morgan Wallen, Noah Kahan, Olivia Rodrigo, Paramore, Peso Pluma, Rema, Selena Gomez, Shakira, SZA, Taylor Swift, The Weeknd, Tyla, Usher, dhe Yng Lvcas.
Të nominuara për çmime në këtë mbrëmje të madhe vjetore janë edhe tre yjet e suksesshme shqiptare me famë botërore: Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha. Dua Lipa është nominuar në tri kategori, për çmimet “Kënga më e mirë e vitit”, “Videoja muzikore më e mirë e vitit” për “Dance The Night” nga filmi “Barbie”, dhe “Teksti më i mirë i vitit” për tekstin e këngës “Houdini”. Ndërsa, Rita Ora është nominuar për çmimin “Kënga më e mirë ritmike e vitit” për këngën e saj “Praising You” në bashkëpunim me FatBoy Slim, e cila njëherësh është pjesë e albumit të saj “You and I”. Kurse shqiptarja tjetër e famshme Bebe Rexha është nominuar gjithashtu për një çmim dhe gjendet në të njëjtën kategori me Dua Lipën. Ajo është nominuar për çmimin “Videoja muzikore më e mirë e vitit” për klipin e këngës “I’m Good (Blue)” në bashkëpunim me David Guettan.