Shtyhet për më 2 shkurt seanca paraprake ndaj Arben Ahmetajt!

vovalbania January 18, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shtyhet për më 2 shkurt seanca paraprake ndaj Arben Ahmetajt!

Shtyhet për në datën 2 shkurt seanca paraprake për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili akuzohet për veprën penale e shpërdorimit të detyrës për çështjen e privatizimit të ish-fabrikës së bukës. Këtë të enjte, Ahmetaj u përfaqësua nga avokati i tij. Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, seanca ishte planifikuar të zhvillohej me dyer të mbyllura.

Avokatët e Ahmetajt kanë kërkuar që gjykimi të konsiderohet i pavlefshëm, me pretendimin se SPAK-u ishte i paqartë në qëndrimin e tij.

Ndaj Ahmetajt, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë ngritur procedimin penal për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit ka vendosur në sekuestro preventive 6 pasuri të personit nën hetim, Arben Ahmetaj.

Më 20 korrik, SPAK-u i dorëzoi policisë urdhërin për ekzekutimin e masës së arrestit me burg për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i larguar nga Shqipëria që më 7 korrik, pak para se Prokuroria e Posaçme të firmoste kërkesën drejtuar parlamentit për arrestimin e tij dhe që u miratua në një seancë të jashtëzakonshme.

Sipas Prokurorisë, Ahmetaj dyshohet për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim apo fshehje pasurie. Hetimet zbuluan lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve të cilët fituan kontratat për inceneratorët e Elbasanit, Fierit e Tiranës, si dhe favorizme që iu ofroi kur ishte ministër i Ekonomisë dhe më pas i Financave, në këmbim të shpërblimeve në forma të ndryshme. Po për çështjen e inceneratorëve, në burg janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.

Ndërkaq, për shkak të mungesës së gjatë në Kuvend, Ahmetaj humbi edhe mandatin e deputetit të PS-së që i kaloi Plarent Ndrecës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE