U arrestua pas atentatit ndaj Gentian Bejtjas, lirohet Valter Bami!
Gjykata e Tiranës nxjerr nga qelia Valter Bamin, duke i ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. I konsideruar si i forti i Niklës, Bami u arrestua për “Armëmbajtje pa leje” pas atentatit të 4 korrikut të vitit të kaluar ndaj Gentian Bejtjas, në fshatin Larushk të Krujës e ku mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino, si dhe u plagosën dy fëmijët e mitur të Bejtjas. Prokuroria kërkoi arrestimin e Bamit pas atentatit, pasi iu gjetën shenja baruti në dorë, por duket se ende nuk është vërtetuar me prova se ai mori pjesë në ngjarjen kriminale.
Si ndodhi atentati
Atentati i 4 korrikut 2023 ishte i treti, të cilit i shpëtonte Gentian Bejtja. Ngjarja ndodhi pak pas mesnate kur Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e banesës së kunatit, bashkë me nipërit. Autorët qëlluan në drejtim të shtëpisë duke lënë të vrarë 29 vjeçarin, si dhe u plagosën dy fëmijët e mitur të Bejtjas, të moshave 10 dhe 13 vjeç.
Gentian Bejtja i ka shpëtuar edhe më parë përpjekjeve për ta vrarë. U raportua se në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga shtetasi Klodian Stafuka. Në atë kohë, Gentian Bejtja mbeti i plagosur. Ai i ka shpëtuar edhe në vitin 2016 një tjetër atentati me eksploziv në makinë. Edhe në atë kohë mbeti i dëmtuar.
Gentjan Bejtja, ish-punonjës policie, rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit e pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Ai është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, pasi me Enver Stafukën u dyshua si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga ku u qëllua Lamaj, në shkurt të vitit 2013.
Po ashtu, Bejtja është shoqëruar për dy ngjarje kriminale. Eshtë fjala për vrasjen e Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të vitit të kaluar e atentatin ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të kaluar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor të dyshuar.