Bllokimi i mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, reagime e akuza mes palëve!
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj e cilësoi “teatër të shëmtuar” bllokimin e mbledhjes së sotme dhe akuzoi grupin e Bardhit e të Berishës se po “përdoret nga Edi Rama”.
Jemi te bindur te vazhdojme rrugen tone per t’i siguruar shqiptareve nje reforme zgjedhore, me lista te hapura, barazi vote, votim dhe numerim elektronik dhe voten e diaspores. Sikunder e shohim qarte edhe ne bashke me shqiptaret se PS dhe segmente te opozites jane te interesuar ta mbajne peng kete proces. Te paret per te siguruar zgjatjen e pushtetit dhe te dytet duke bere lojera qe lidhen me interesa personale. Kryetarja e Kuvendit duhet te siguroje mbarevajtjen e procesit. E dime shume mire qe shfaqje te tilla te shemtuara jane ne funksion te pushtetit dhe kryeministrit. Por eshte po kaq e qarte qe per kete funksion Edi Rama perdor nje pale qe me bllokimet ne kuvend nuk ka arritur asgje pervec te shtoje arrogancen dhe pushtetin e Edi Rames.
Ne jemi te vendosur per te bere reformen, nese palet e gjejne veten komode ne pengmarrjen qe i bejne shqiptareve ne kete teater te shemtuar e kane gabim. Sepse nuk mund te genjejne me askend me manovra te tilla. Kur banaliteti dhe shfaqjet e shemtuara kane vetem nje qellim. Mbajtjen sa me gjate te pushtetit te Rames dhe pandeshkueshmerise se tij. Mos harroni: kjo eshte loja e tyre. Rames nuk i intereson ndryshimi i sistemit. Dhe shume kollaj i jepet mundesine t’a serviri sikur kete po e bllokon opozita. Proceset demokratike te vendit nuk mund te mbesin peng disa njerezve qe vendosin interesat e tyre mbi ato te shqiptareve.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot pas bllokimit të punimeve të komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore nga deputetët e Rithemelimit.
Nëse Komisioni i Reformës Zgjedhore është ‘instrument për t’u përballur me këtë qeveri dhe këtë kryeministër’, atëherë kush e mendon pa teklif kështu ka dy rrugë: ose të përgatitet që tani për dështimin e afërt në këtë “përballje” – e bashkë me dështimin të përballet edhe me mbylljen e epokës së komisioneve bipartizane për reforma zgjedhore, ose të ndryshojë pa humbur kohë konceptimin e gabuar të një instance të tillë, duke e kuptuar tani, shpejt, se komisionet e ngritura për produkte ligjore konsensuale, nuk ngrihen për t’u përballur cjepërit brirë më brirë, po për të dialoguar kundërshtarët politikë në kërkim të kompromiseve të pranuara nga palët e përfshira në komision.
Po ashtu, Spiropali theksoi se “Partia Socialiste mirëpret çdo ide apo platformë alternative të të gjithë deputetëve, që nuk i drejtohen komisionit në fjalë nga ballkoni apo nga gryka e bilbilave, por askush nuk bën mirë ta harrojë se edhe Partia Socialiste ka idetë e veta”.
Ndërsa përballjen me këtë qeveri dhe këtë kryeministër, opozitat e disata që kemi në parlamentin e sotëm të karrigeve përmbys, flakadanëve tymhava apo gjumashëve kokëvarur, do ta kenë në qershorin e vitit të ardhshëm. Jo në komisionin e reformës zgjedhore. E patjetër që do të kenë mundësinë ta realizojnë dhe ta shijojnë deri në fund, siç e kanë realizuar dhe shijuar në 8 përballjet e fundit zgjedhore që nga viti 2013.
Fatmir Mediu, anëtar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, iu bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos bëhen pjesë e asaj që e quajti “farsë e maxhorancës për të shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.
Edi Rama nuk i ka 84 vota në parlament. Dua t’i bëj thirrje çdo deputeti të opozitës mos të bashkohet në një farsë për të shkatërruar zgjedhje të lirshme dhe të ndershme. Ky komision është bipartizan dhe në dy krahët ka pjesëmarrje. Kemi detyrime të krijojmë standard për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndërkaq, Rithemelimi përsëriti se nuk do të ketë normalitet në parlament.