Lihet në burg mjeku Dervish Hasi/Deklarata në gjykatë: S’kam bërë trafikim apo pornografi me gruan time!
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Dervish Hasin, mjekun e akuzuar nga prokuroria për trafikim të të miturve dhe pornografi. Në gjykatë, hodhi poshtë akuzat.
Asnjëherë në jetën time nuk kam bërë trafikim apo pornografi me gruan time. Nëse i kam bërë atëherë jam dakord që të qëndroj në burg.
Pak ditë më parë, 42-vjeçari u arrestua në Tiranë, pasi dyshohej se shfrytëzonte një vajzë të mitur për prostitucion. Në prangat e bluve të Komisariatit nr.1 ra shtetasi Dervish Hasi, mjek kardiokirug, i akuzuar se prej dy vitesh shfrytëzonte për prostitucion një vajzë të mitur, që tani është 16-vjeçe dhe e prezantonte si bashkëshorten e tij të katërt. Besimtar mysliman, Hasi kishte edhe tre gra të tjera në shtëpi.
E mitura shkonte në shtëpinë e Hasit në intervale të shkurtra kohore 3 deri në 4 ditë, ndërsa dyshohet se Hasi ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
Njoftimi zyrtar:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të depozituar në komisariat, se një e mitur shfrytëzohej nga një shtetas, për prostitucion, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin ligjor të rastit në fjalë dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin D. H., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Emri i mjekut nuk është i panjohur për organet ligjzbatuese. Dervish Hasi rezulton i hetuar nga SPAK-u si personi që furnizonte me tritol e snajper, një grup të strukturuar kriminal.