Homazhet për 21 Janarin/ Rama: Prokuroria e Tiranës pa shtyllë kurrizore, ‘dosja e gjakut’ t’i kalojë SPAK-ut (FOTO)
Një konferencë për shtyp është mbajtur ditën e sotme në kryeministri lidhur me çështjen e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues. Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë një proteste të opozitës kundër qeverisë “Berisha” asokohe.
Takimi u mbajt me të afërm e familjarë të viktimave, ku fillimisht Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se PS nuk është ndaluar për asnjë çast.
“Fakti që sot pas 13 vitesh drejtësia për 21 janarin si krim shtetëror është ende në ajër tregon qartë se brenda sistemit të drejtësisë ka magjistratë me certifikatë vetingu të paaftë profesionalisht që punojnë me mentalitetin e vjetër të mbylljes së dosjeve me procedurë apo skadim të afateve të procedimit se kanë frikë të përballen me hetimin e dosjeve të rëndësishme”, tha Manja.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se shpreson që Gjykata e Lartë të marrë një vendim të drejtë më 27 shkurt, nëse dosja për 21 janarin duhet t’i kalojë SPAK dhe mos ta heqë nga kurrizi i prokurorisë pa shtyllë, siç e quajti ai. Rama tha se ky 21 janar është i veçantë. Pasi tashmë kërkesa për drejtësi për 21 janarin vjen edhe nga Gjykata e Strasburgut.
“Ky është një 21 janari i veçantë sepse sot për herë të parë që prej 13 vitesh shpresa nuk ushqehet vetëm nga brenda nesh, por edhe nga vendimi i Strasburgut dhe nga vullneti shprehur i SPAK dhe GJJKO për të goditur drejt, lart, pa duart e lidhura nga pushteti politik, dhe pa frikë nga dordolecët politikë. Ne sot nuk ka mbetet veçse të shpresojmë që Gjykata e Lartë do vendosë me drejtësi me 27 shkurt dhe do të lëvizë barrën e rëndë të 21 janarin nga kurrizi pa shtyllë i prokurorisë Tiranë në duart e SPAK për të hetuar cka krejt është shkruar qartë në vendimin e asaj gjykate, asgjë më shumë, asgjë më pak. Pastaj për ta cuar rezultatin e atij hetimi në duart e gjykatës së SPAK, ku më në fund Shqipëria dhe shqiptarët do mund të shohin nën dritën e diellit ata që duhet të përgjigjen për 21 janarin. Në të gjitha rastet, e kemi ditur apo jo Mark, e kemi ditur qysh prej ditës së parë, qysh prej ditës kur u mblodhën për herë të parë me dhjetëra mijëra vetë në marshimin e heshtur të 28 janarit 2011, se 21 janari është nga ato raste në historinë e botës, kur drejtësia nuk vjen dot kurrë shpejt, por nuk harron kurrsesi që të vijë.
Dua ta ndaj në emër të familjarëve, kolegëve, familjes politike që udhëheq vendin, qoftë vullnetin si gjithmonë të palëkundër për të qëndruar krah për krah deri në ditën e gjykimit të 21 janarit, por edhe besimin e ushqyer nga një moment dramatik në këtë histori që shënon kthesë dramatike në drejtimin e duhur dhe që fatkeqësisht nuk erdhi si rezultat i forcës së brendshme të sistemit të drejtësisë, por si rezultat i forcës europiane të drejtësisë“, tha Rama.
Dhe, ashtu si çdo vit, kryeministri Edi Rama, së bashku me familjarët e viktimave të 21 Janarit, kanë kryer homazhe në vendin ku u vranë protestuesit 13 vite më parë.
Me lule në duar, Rama dhe familjarët e tjerë janë përkulur në shenjë respekti në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Mes lotësh, familjarët e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt kujtuan të ndjerët, ndërsa presin të bëhet sa më shpejt drejtësi.
Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Strasburgut ka gjetur dy shkelje në vrasjen e Aleks Nikës gjatë protestës opozitare kundër qeverisë Berisha para selisë së kryeministrisë.
Në vendimin e dhënë nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut, thuhet se vrasja dhe mungesa e zbardhjes së vrasjes, janë dy shkelje të kryera nga shteti. Këto janë shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës, thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.
Gjykata ka gjetur mangësi në ligjin për përdorimin e armëve në operacionet e kontrollit të turmës. Sipas gjykatës, shteti dështoi të kontrollojë ngjarjen dhe përdori forcën vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që rezultoi në vdekjen e Nikës.
Gjykata e Strasburgut vë në dukje se Prokuroria e Përgjithshme është përballur me një detyrë jashtëzakonisht të vështirë. Fokusi duhet të jetë në përgatitjen e ndjekjeve penale kundër ata që dyshohen se kanë kryer krime. Duhet pranuar se disa nga aktet e kryera këtë ditë duhet të konsiderohen si krime, pavarësisht nga klima politike dhe pavarësisht se kush e nisi dhunën.
“Ligji i kohës dhe plani i masave të Gardës ishin me shkelje që nuk garantonin jetën. Pra, shteti ka përgjegjësi për vrasjen. Gjithashtu, moszbardhja e ngjarjes është shkelje. Nuk ka dëmshpërblim, sepse nuk ka dashur Mark Nika që e ndoqi vetë çështjen. Hetimi duhet të bëhet dhe dënohet fajtori, kushdo qoftë, si dhe duhet kontrolluar ligji i ri për armët, nëse i përmbush standardet”, thotë Gjykata e Strasburgut në vendimin e saj.
“Ekziston nevoja për hetime të plota, të paanshme dhe të besueshme për shkeljet e të drejtave të njeriut, të cilat ndodhën më 21 janar 2011”, thuhet më tej.
“Ata që janë përgjegjës për dhunën aktet dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo është e nevojshme në për vendosjen e drejtësisë por edhe për të parandaluar zhvillime të tilla serioze në të ardhmen”, – vëren Gjykata.
Gjykata ka analizuar mungesën e ekspertizës së autoriteteve. “Zyra e Kryeministrisë nuk ofroi të gjitha video incizimet ose Prokuroria dështoi të sekuestrojë regjistrimet që do të ishin provë e vlefshme për hetimin”.
Fakti që një pjesë e madhe e video incizimeve u fshinë pas ngjarjes, ngre dyshime nëse fshirja e tyre mund të ketë qenë e qëllimshme dhe me qëllim fshehjen e së vërtetës.
Për pasojë, thotë Gjykata, “hetimi i kryer nuk mund të konsiderohet si një efektiv në identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve”.
Gjykata po ashtu vë në dukje se Garda Kombëtare dhe policia nuk po përballeshin me një organizim të paplanifikuar, pasi opozita kishte marrë leje disa ditë më parë për organizimin e tubimit.
Sipas Gjykatës, vendimet e saj janë deklarative dhe sugjerohet se autoritetet duhet të vazhdojnë punën për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve.
Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë. Familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkohë, dy vite më parë, Prokuroria e Tiranës rihapi hetimin për vrasjen e Aleks Nikës. Megjithatë, familjarët e Nikës janë të zhgënjyer nga drejtësia shqiptare, ndërsa janë shprehur se “Prokuroria po zvarrit dosjen, ndaj, ata iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut”.
I riu nga Lezha u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi në një spital.
Familjarët akuzojnë Shqipërinë për një mungesë hetimi efektiv për zbardhjen e ngjarjes dhe për mohimin e aksesit të familjarëve në fazën hetimore të procesit.
Aleks Nika është një nga 4 protestuesit e vrarë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në vitin 2011 nga Garda e Republikës gjatë protestës së opozitës që drejtohej nga kryeministri aktual Edi Rama.
Për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite e pak muaj. Partia Socialiste akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhërues të vrasjeve të protestuesve.
Asokohe, Berisha e cilësoi “21 janarin” si një tentativë për grusht shteti, duke deklaruar se garda ka mbrojtur institucionin shtetëror dhe se ka zbatuar vetëm ligjin.