Rusia tejkalon Arabinë Saudite për furnizim të Kinës me naftë!
Rusia e ka tejkaluar Arabinë Saudite vitin e kaluar, duke u bërë furnizuesja më e madhe me naftë e Kinës, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar të dhënat kineze për import.
Rusia besohet se ka dërguar sasi të barasvlefshme me 2.1 milionë fuçi naftë në ditë.
Arabia Saudite, furnizuesja kryesore e Kinës për naftë, ka dërguar 86 milionë tonë, 2 për qind rënie në krahasim me vitin paraprak.
Kina është importuesja më e madhe e naftës në botë, duke i tejkaluar edhe Shtetet e Bashkuara më 2017.
Sanksionet e Perëndimit të vendosura ndaj Rusisë, për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, kanë çrregulluar për një kohë tregtinë globale, përfshirë dërgesat e lëndëve djegëse të papërpunuara.
Evropa, blerësja më e madhe e naftës ruse, para luftës, u ka vënë ndalesë lëndëve djegëse ruse të papërpunuara, dhe bashkë me Shtetet e Bashkuara kanë vendosur çmime tavan në naftën ruse që është bartur duke shfrytëzuar shërbimet evropiane apo amerikane, siç është sigurimi gjatë udhëtimit.
Çmimi tavan është menduar për të mbajtur naftën ruse jashtë tregjeve globale dhe për të parandaluar një rritje çmimesh.
Pas ndalesës së vënë të Perëndimit në naftë, India dhe Kina kanë shprehur gatishmëri për ta blerë naftën që Rusia, më pas, e ka shitur me çmim më të lirë.
Rusia dhe Arabia Saudite janë në vendin e dytë dhe tretë, respektivisht, për prodhim të naftës në botë, pas Shteteve të Bashkuara.