Amerikë-Britani, sulme të reja kundër Huthëve në Jemen!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kryer sulme të reja ajrore kundër shënjestrave të rebelëve Huthi në Jemen. Pentagoni, Departamenti amerikan i Mbrojtjes u shpreh se në sulmet e fillimjavës u shënjestruan tetë pika, përfshirë një qendër nëntokësore për rezerva, si dhe qendrat e nisjes e të vëzhgimit të sistemeve raketore.
Rebelët Huthi, të mbështetur prej Iranit kanë goditur anijet tregtare që besojnë se janë të lidhura me Izraelin e Perëndimin, gjatë kalimit të tyre në Detin e Kuq. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar vunë në dukje se po tentojnë që të mbrojnë “qarkullim e lirë të mallrave”.
Kjo është vala e tetë e sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër objektivave të lidhura me rebelët Huthi në Jemen, si edhe e dyta në bashkëpunimin e Amerikës me Mbretërinë e Bashkuar.
Për sulmet e fundit, në deklaratë është thënë se ka pasur koordinim edhe me Australianë, Bahreinin, Kanadanë e po ashtu Holandën.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps i ka përshkruar bombardimet si “vetëmbrojtje” kundër “sulmeve të patolerueshme” të rebelëve Huthi ndaj anijeve tregtare, por që nuk mund të lundrojnë të sigurta në Detin e Kuq.
Pavarësisht sulmeve paraprake, rebelët Huthi të cilët furnizohen, trajnohen dhe këshillohen prej Iranit po vazhdojnë sulmet ndaj anijeve. Rebelët deklarojnë se i kanë nisur sulmet si një përgjigje ndaj ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza.
Siç dihet, Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak orë pasi grupi militant palestinez ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke lënë të vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz. Hamasi që udhëheq Gazën është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjithashtu Bashkimit Europian.
Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza janë vrarë më shumë se 25 mijë palestinezë, sipas shifrave që japin autoritetet shëndetësore palestineze në ministrinë e drejtuar nga zyrtarë të Hamasit.