Parlamenti turk pritet të ratifikojë kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO!

vovalbania January 23, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Parlamenti turk pritet të ratifikojë kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO!

Pas një vonese mbi një vjeçare, sot parlamenti turk pritet të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Vendimi pason OK-ein nga Komisioni i Parlamentit turk për Marrëdhëniet me Jashtë të kërkesës së Stokholmit. Me nisjen e luftës ruse në Ukrainë, rreth dy vjet më parë, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO.

Suedia ndeshi në rezistencën turke, me pretendimin se vendi nordik po mbronte anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërsa zyrtarisht Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill të vitit të kaluar, shtyrjet për Suedinë zemëruan aleatët.

Suedia ka paraqitur një projekt-ligj kundër terrorizmit që e bën të paligjshëm anëtarësimin në një organizatë terroriste. Suedia, Kanadaja, Finlanda dhe Holanda gjithashtu kanë zbutur politikat e eksportit të armëve për Turqinë.

Por, presidenti turk Erdogan e lidhi ratifikimin e ardhshëm me miratimin e vonuar të shitjes së avionëve luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara për Turqinë. Shtëpia e Bardhë mbështet shitjen e këtyre avionëve edhe pse afati kohor për miratimin e këtij vendimi nga Kongresi nuk është i qartë.

Pavarësisht kësaj pengese, pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan këtë muaj, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Turqia ka të ngjarë të ratifikojë së shpejti kërkesën e Suedisë për anëtarësim, duke e lënë Hungarinë si pengesën e vetme për hyrjen e Suedisë në NATO.

Budapesti ka vonuar marrjen e një vendimi mbi hyrjen e vendit nordik në aleancën perëndimore. Hungaria thotë se prej vitesh, Suedia ka patur një “qëndrim haptazi armiqësor” ndaj Budapestit dhe është e zemëruar për kritikat suedeze ndaj kryeministrit hungarez, Viktor Orban mbi erozionin e perceptuar të shtetit ligjor. Kryeministri Orban i ka mohuar akuzat e qeverisë suedeze.

Të enjten e kaluar, shefi i personelit të zyrës së kryeministrit hungarez, Viktor Orban, Gergely Gulyas, vuri në dukje mungesën e “hapave të ndërtimit të besimit” nga Stokholmi për të përmirësuar marrëdhëniet me Budapestin e që do të mund të ndihmonin në ratifikimin e kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65251 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE