Bllokada e fermerëve francezë zgjerohet në autostradat në veri dhe perëndim të vendit !
Dhjetra fermerë me traktorë iu bashkuan sot grevës së kolegëve të tyre edhe në rajonin verior të Pas-de-Calais duke bllokuar rreth-rrotullimin Setques të autostradës A26 pranë portit kryesor më Anglinë.
Lëvizja e protestës kundër masave kufizuese të qeverisë po zgjerohet ashtu si dhe presioni ndaj zyrtarëve për t’i dhënë fermerëve përgjigje konkrete.
Ndërkohë rrjeti vendas AFP raportonte se rreth 100 fermerë me rreth 65 traktorë bllokuan kalimin në urën madhore Iroise drejt Brest në perëndim të Francës, për të protestuar ndaj rregullave agresive të kufizimeve të qeverisë, që sfidojnë mënyrën dhe kushtet e tyre të punës.
Alexandre Castrec, përfaqësues i prodhuesve të qumështit në rajonin perëndimor të Finistère tha për rrjetin AFP:
“Qëllimi ynë nuk është të bllokojnë apo të zemërojmë kolegët tanë qytetarë, por të bëjmë zërin tonë të dëgjohet, dhe të sigurohemi që qeveritarët të kuptojnë se ka një çështje serioze që kërkon zgjidhje”.
Ai shtonte më tej: “Ne nuk po vijmë nga qejfi këtu, kemi punë për të bërë në mëngjes, në drekë e në darkë. Duhet të vijmë këtu me turne, nuk duam të flemë këtu gjitha fundjavën”.
Zhvillimi vjen pas tragjedisë së një dite më parë kur një fermere protestuese humbi jetën dhe bija e bashkëshorti i saj janë plagosur rëndë, nga një makinë që përplasi barrikadat e kashtës në autostradë.
Veprimi fermerëve francezë vjen pas atij të fermerëve në Gjermani, Rumani, Holandë e Poloni që kanë dënuar rregullat e BE për shkurtim të subvencioneve dhe kufizim ‘ekologjik të prodhimit.
“Ne nuk do të heqim bllokadën derisa kryeministri të bëjë njoftime konkrete, koha e bisedave ka mbaruar”, tha për mediat fermeri protestues Arnaud Gaillot ne perëndim te Frances.