Gjykata e Lezhës merr vendimin për dy të arrestuarit e kapur me 5 mina me telekomandë!
Dy personat që pak ditë më parë u arrestuan nga policia pasi u kapën me pesë mina me telekomandë në qytetet e Rrëshenit e të Lezhës do të qëndrojnë në burg pa afat. Marjan Gjoka 28-vjeç banues në Qafë Unazë të Rubikut, si dhe Ilir Gjoka 45-vjeç me banim në Lezhë, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Në seancat gjyqësore të zhvilluara njëra pas tjetrës, gjyqtari Renis Sheshi pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar “të ligjshëm” arrestimin e tyre dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” për të dy shtetasit Marjan Gjoka e Ilir Gjoka.
Ndërkaq, mësohet se dy personat e vënë nën akuzë nuk kanë folur asnjë fjalë rreth veprimtarisë së tyre e as në lidhje me destinacionin e lëndëve shpërthyese. Po ashtu, autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e të tjerë personave që mund të jenë përfshirë.
Kujtojmë se 28-vjeçari Marjan Gjoka rezident në Malin e Zi u prangos në flagrancë teksa po ecte në këmbë në qytetin e Rrëshenit dhe gjatë kontrollit të çantës që mbante në shpinë nga uniformat blu iu gjetën dy mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4.
Po ashtu, në qytetin e Lezhës u kap Ilir Gjoka. Gjatë kontrollit në trup, atij iu zbuluan tre mina po me telekomandë, me lëndën plasëse C4, për shpërthim në distancë. Nga veprimet e deritanishme hetimore, dyshohet se që dy këta persona furnizonin grupet kriminale me lëndë plasëse me telekomandë.