Parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi qeverinë teknike me Talat Xhaferin kryeministër!

vovalbania January 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi qeverinë teknike me Talat Xhaferin kryeministër!

Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Në parlament u votua qeveria e re teknike, me mandat 100 ditor deri në zgjedhjet e 8 majit. Për Xhaferin votuan pro 65 deputetë. Tre ishin kundër.

Qeveria teknike e Xhaferit ngarkohet me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të majit. Gjatë debatit parlamentar, Xhaferi prezantoi programin e punës.

Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë qeveri një apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë.

Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Europian. Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike. Problemet e qytetarëve në nivel lokal, pavarësisht se të cilës komunë i takojnë do të kenë mbështetjen e plotë të pushtetit qendror.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO DMPNE, i cilësoi si “dezertorë” Xhaferin dhe ish-kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.

Gjatë debatit parlamentar, kryetari i partisë shqiptare Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se “maqedonasit nuk duhet të kenë frikë nga barazia e popujve që garantohet me Marrëveshjen e Ohrit”, që ndaloi konfliktin e armatosur në vitin 2001.

Kjo marrëveshje ka sjellë stabilitet në Maqedoninë e Veriut, që tani është shtëpi e përbashkët e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në të.

Ahmeti kundërshtoi deputetët e opozitës të cilët thanë se “BDI-ja e bëri Maqedoninë e Veriut shtet qira për maqedonasit”, ndërsa drejtuan edhe akuza ndaj zyrtarëve të BDI-së për përfshirje në “krim të organizuar dhe korrupsion”.

Do të doja që ne të mos bëjmë këtu fjalime politike pasi zgjedhjet janë më 8 maj. Nuk duhet të luajnë rolin e gjykatësit dhe prokurorit. Ky është Kuvend ku sillen vendime të mëdha për të ardhmen e vendit, ndërsa për çështjet tjera duhet të merren organet e ndjekjes.

Por, kush është Talat Xhaferi, i pari kryeministër shqiptar i Maqedonisë së Veriut?

Talat Xhaferi u lind më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit. Ka përfunduar Akademinë Ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 shërbeu si drejtues i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001-shin ishte oficer i Armatës së Maqedonisë.

Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Nga viti 2004 deri më 2006-ën, shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërsa më 2013-ën u emërua ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në parlament, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, post të cilin e mbajti deri në marrjen e mandatit për formimin e qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65755 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE