Supë drejt xhamit të blinduar të Mona Lizës në Muzeun e Luvrit/Dy aktiviste kërkojnë përgjigje ushqimore!
Dy aktiviste të klimës hodhën supë drejt xhamit të blinduar që mbron pikturën Mona Liza në Muzeun e Luvrit, duke kërkuar sistem të qëndrueshëm ushqimor. Ky zhvillim ndodhi pasi prej ditësh, fermerët francezë protestojnë në mbarë Francën për shkak të pagave të ulëta dhe problemeve të tjera me të cilat përballen.
Në rrjetet sociale u publikuan fotot dhe video të dy grave të veshura me bluza ku shkruhej “Kundërpërgjigja ushqimore”. Ato u panë duke hedhur supë në xhamin që mbron kryeveprën e Leonardo da Vinçit, si dhe kaluan barrierat e sigurisë duke iu afruar pikturës.
Çfarë është më e rëndësishme? Arti apo e drejta për ushqim të qëndrueshëm e të shëndetshëm? Sistemi ynë i fermave është i shkatërruar. Fermerët tanë po vdesin në vendet e punës.
Punonjësit e Luvrit janë parë duke vendosur panele të zeza para Mona Lizës dhe duke u kërkuar vizitorëve që të largohen nga dhoma.
Në ueb-faqen e tyre, grupi “Kundërpërgjigja ushqimore” tha se qeveria franceze po shkel zotimet e saj të klimës dhe kërkuan që sistemi shëndetësor, i sponsorizuar nga shteti, të përmirësohet, në mënyrë që njerëzit të kenë qasje më të mirë në ushqim të shëndetshëm. Ky grup po ashtu kërkoi që fermerët të kenë të ardhura dinjitoze.