Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut!

vovalbania January 28, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut!

Në një moment historik, sot Talat Xhaferi pritet të marrë detyrën si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut pasi të votohet në Parlament mbi përbërjen e qeverisë së përkohshme që do të çojë vendin fqinj në zgjedhjet e dyfishta që do mbahen në muajin maj.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti iu drejtua qytetarëve me një fjalim duke e quajtur këtë 28 janar si ditë historike.

Katër vite më parë, nga ky vend iu drejtova juve me fjalët “çdo gjë fillon me një ëndërr”. Ju thashë se të gjithë ne i kemi ëndrrat tona për fëmijët tanë. Liria dhe barazia nuk vijnë lehtë, kërkojnë edhe besim se synimi do të arrihet.  Ashtu besoja edhe në marrëveshjen e Ohrit edhe në zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Ahmeti shpreh besimin se do të hapet mundësia për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Besoj se shpejt do të anëtarësohemi në Bashkimin Europian sepse është ideali ynë. Nesër (28 janar) është ditë historike. Të dielën, 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë e po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkërisht të ndërmarrim përgjegjësinë për t’i prirë vendit jo njëri pas tjetrit, por krahë për krahë për një Maqedoni të Veriut europiane.

Jam mirënjohës që na besuat, që u rreshtuat pas ëndrrës sonë dhe që ky besimi juaj do shpërblehet nesër (e diel 28 janar) edhe me një premtim të mbajtur e me një punë të kryer, si dhe me një ëndërr të realizuar. Vendi ynë do bëhet më i fortë e më i bashkuar. Ky është vetëm fillimi, kemi edhe shumë punë për të bërë dhe ëndrra për të realizuar.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi “historike” këtë nditë. Me një foto të Talat Xhaferit e Ali Ahmetit me duar të shtrënguara, në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson:

Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet… Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65729 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE