Irani: Nuk kem lidhje me sulmin ndaj ushtarëve amerikanë në Jordani!

vovalbania January 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Irani: Nuk kem lidhje me sulmin ndaj ushtarëve amerikanë në Jordani!

Irani reagoi duke i cilësuar “të pabaza” pretendimet se është përfshirë në sulmin ku u vranë tre ushtarë amerikanë në verilindje të Jordanisë, në afërsi të kufirit me Sirinë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, tha se sulmet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Siri e Irak, si edhe lufta izraelite në Gaza vetëm sa do ta intensifikojnë ciklin e paqëndrueshmërisë në rajon.

Presidenti amerikan, Joe Biden, fajësoi grupet e mbështetura nga Irani për sulmin me dronë ndaj forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kanaani vuri në dukje se “grupet e rezistencës” nuk marrin urdhra nga Republika Islamike.

Këto pretendime janë bërë me qëllime të caktuara politike për të përmbysur realitetet në rajon”, citohet të ketë thënë Kanaani, sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA.

Më herët, misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara dha një deklaratë duke theksuar se “Irani nuk ka lidhje me sulmin në bazën amerikane”.

Ka një konflikt midis forcave amerikane dhe grupeve të rezistencës në rajon dhe në mënyrë reciproke ato kryejnë sulme hakmarrëse.

Komanda Qendrore amerikane bëri të ditur se nga sulmi në Jordani janë plagosur edhe 34 ushtarë, tetë prej të cilëve u desh të evakuohen.

Trupat amerikane operojnë në një bazë në afërsi të kufirit të Jordanisë me Irakun e Sirinë dhe operojnë si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër grupit militant, Shteti Islamik, i njohur ndryshe si ISIS.

Ky ishte sulmi i parë vdekjeprurës ndaj forcave të Shteteve të Bashkuara që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Luftimet që vijojnë prej tetorit të kaluar, po shkaktojnë tronditje në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme.

Hamasi që mbështetet nga Irani, kreu sulme me raketa e jo vetëm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona, shumica e tyre civilë. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me një ofensivë ushtarake tokësore e ajrore, nga e cila deri më tani janë vrarë mbi 26 mijë vetë në Gaza, pjesa dërrmuese gra dhe fëmijë, referuar shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65755 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE