SHBA-të: Huthët nuk na kanë sulmuar një luftanije!

vovalbania January 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
SHBA-të: Huthët nuk na kanë sulmuar një luftanije!

Rebelët jemenas të Huthit thanë se sot ata kanë sulmuar një bazë të lëvizshme të Marinës Amerikane, por nuk dhanë asnjë detaj e nuk ofruan prova për të mbështetur deklaratat. Por, ky pretendim i Huthëve është hedhur poshtë menjëherë nga një zyrtar amerikan i mbrojtjes.

Huthët pretenduan se kanë sulmuar USS Lewis B. Puller dhe që shërben si një bazë lundruese për ushtrinë amerikane. Më herët, kjo luftanije  ishte stacionuar në Detin Arabik, si pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të frenuar sulmet e Huthëve ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Detit të Kuq e Gjirit të Adenit.

Përmes një deklarate, zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha se rebelët gjuajtën raketa drejt anijes Puller në Gjirin e Adenit. Megjithatë, ai nuk dha dëshmi konkrete për të mbështetur këtë pretendim.

Sulmet e Huthëve do të vazhdojnë derisa të ndalet agresioni dhe të hiqet rrethimi ndaj popullit të Palestinës në Rripin e Gazës që vijon të sulmohet nga Izraeli.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti lidhur me çështjet e Inteligjencës, u shpreh se nuk ka pasur raportim për ndonjë sulm ndaj luftanijes Puller. Megjithatë, rebelët e Huthit më herët kishin hedhur raketa që nuk patën arritur objektivin e synuar dhe raketat ranë në det apo edhe në tokë.

Luftanija Puller ka shërbyer si një bazë e lëvizshme për pjesëtarët e Marinës së SHBA-ve që kryen operacionin e 11 janarit për konfiskimin e raketave balistike të prodhimit iranian dhe po ashtu komponentëve të raketave që besohej se ishin të destinuara për në shtetin e Jemenit. Dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane u zhdukën gjatë sulmit e besohet se ata kanë gjetur vdekjen.

Që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, rebelët jemenas vazhdimisht kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq lidhur me ofensivën e Izraelit në Gaza kundër Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Bashkimi Europian. Por, ata gjithnjë e më shumë po sulmojnë anije që nuk kanë lidhje të qarta me Izraelin, duke shkaktuar pengesa në rrugën kyçe për tregtinë globale midis Azisë, Lindjes së Mesme dhe Europës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65818 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE