Një grup militant irakian “pezullon” operacionet ndaj SHBA-ve!

vovalbania January 31, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Një grup militant irakian “pezullon” operacionet ndaj SHBA-ve!

Një grup militant irakian i lidhur me Iranin e që dyshohet se qëndron pas sulmit me dron ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani, njoftoi për “pezullimin” e operacioneve ndaj forcave të Shteteve të Bashkuara. Kjo pasi Uashingtoni vendosi si të përgjigjet për sulmin, por nuk dha më shumë detaje. Grupi Kataib Hezbollah la të kuptohet se sulmi me dron lidhej me mbështetjen amerikane ndaj Izraelit për luftën në Gaza.

Ndërsa shpallim pezullimin e operacioneve ushtarake dhe të sigurisë kundër forcave pushtuese, në mënyrë që të parandalojmë turpërimin e qeverisë irakiane, ne do të vazhdojmë të mbrojmë njerëzit tanë në Gaza përmes mënyrave të tjera.

Tre ushtarë amerikanë u vranë në një sulm me dron në Jordani, më 28 janar. Sipas Pentagonit, ky sulm kishte “gjurmët” e milicisë Kataib Hezbollah që sponsorizohet nga Teherani. Por, Uashingtoni ende nuk ka përcaktuar përfundimisht se ky grup qëndron pas goditjes.

Deklarata e militantëve irakianë u prit me skepticizëm në Pentagon dhe zëdhënësi Pat Ryder tha se “veprimet flasin më shumë se fjalët”.

Do të ketë pasoja!

Një ditë më parë, presidenti amerikan Joe Biden u pyet nga gazetarët nëse e ka vendosur si do të përgjigjet për sulmin. Ai u përgjigj me “po”, duke mos dhënë më shumë detaje lidhur me këtë çështje.

Nuk mendoj se na duhet një luftë e gjerë në Lindjen e Mesme. Nuk po e kërkoj këtë!

Sipas analistëve, sulmet ndaj trupave amerikane kanë rritur presionin politik ndaj Biden-it që të kundërpërgjigjet me sulme ndaj interesave iraniane në rajon, ndoshta në Irak dhe Siri. Që kur më 7 tetor nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e Bashkimi Europian, trupat amerikane në Irak dhe Siri janë sulmuar mbi 165 herë.

Përgjegjësinë për shumicën e sulmeve e ka marrë e ashtuquajtura Rezistenca Islamike në Irak, aleancë ombrellë e milicive shiite të linjës së ashpër e që mbështetet nga Teherani zyrtar.

Sipas ekspertëve, Kataib Hezbollah është një prej grupeve më të fuqishëm të Rezistencës Islamike në Irak. Detajet e sulmit në Jordani mbeten të paqarta, por një zyrtar amerikan tha se trupat amerikane mund të kenë menduar gabimisht se droni i armikut ishte i tyre, pasi në kohën e sulmit, një dron i lëshuar nga SHBA-të po kthehej në bazën ku ndodhi sulmi e që gjendet afër kufirit me Sirinë, ndaj dhe ushtria amerikane nuk e rrëzoi.

Droni me të cilin u krye sulmi fluturoi në lartësi të ulët, në kohën kur një dron amerikan po kthehej në bazën, që njihet si Kulla 22.

Pas raportimeve se droni i përdorur në sulm ishte prodhuar në Iran, Ministria e Jashtme në Teheran mohoi se ka lidhje me sulmin, duke i cilësuar akuzat “të pabaza”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65741 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE