Roma gati të largojë Marash Kumbullën dhe dy lojtarë të tjerë për të transferuar talentin italian…
Lukaku së bashku me Dybalan janë pa diskutim dy yjet më të mëdhenj në ekipin e Romës në Serie A dhe ku ofertat për të dy sulmuesit nuk mungojnë. Nga ana tjetër, kanë mbetur më pak se 24 orë deri në mbylljen e afatit kalimtar të janarit, ku këto orë janë vendimtare edhe për Romën. Gjiganti italian ka afruar mbrojtësin e majtë spanjoll Angelino si huazim me të drejtë blerje prej gjashtë milionë eurove nga RB Leipzig.
Megjithatë te Roma po presin një tjetër ardhje në orët e fundit, por para se gjithash ata duhet të shesin për të pasur hyrje të reja. Kryeqytetasit janë duke larguar tre futbollistë nga radhët e tyre, për t’i bërë vend një afrimi të ri. Andrea Belotti po e kompleton huazimin te Fiorentina, ku klubi vjollcë do ta ketë të drejtën e blerjes në fund të sezonit. Ndërkohë nga Roma si huazim pritet të largohet edhe Marash Kumbulla me Sassuolon që është skuadra favorite për t’i siguruar shërbimet e tij. I fundit që pritet të largohet nga Giallorosët është mbrojtësi turk Zeki Celik që pritet t’i bashkohet Galatasarayt. Verdhekuqtë po punojnë për afrimin e talentit të madh italian Tommaso Baldanzi nga Empoli i cili është kërkesë e trajnerit Daniele De Rossi. Për Baldanzin Roma është duke kërkuar huazimin e tij me obligim blerje prej 15 milionë eurove