Broja te Fulhami, “The Guardian” zbulon kushtin e veçantë të akordit!
Armando Broja do të vazhdojë pjesën e mbetur të sezonit te Fulhami, që ra dakord me Chelsean për huazimin e pastër të sulmuesit shqiptar deri në verë për shumën 4 milionë paund. 22-vjeçari u kërkua edhe nga Wolves, Milan dhe Atletico Madrid, por në fund zgjodhi skuadrën londineze, aty ku do të marrë minuta dhe do të luajë rregullisht.
Për t’u paraqitur në formë të mirë fizike në Euro 2024 me kombëtaren shqiptare. Gazetari i The Guardian, Jacob Steinberg zbulon një detaj interesant në lidhje me akordin mes dy klubeve angleze. Nëse Broja luan më pak se gjysmën e ndeshjeve të skuadrës së re, atëherë drejtuesit e Fulhamit nuk do të paguajnë asnjë cent në arkat e Chelsea.
Gjithsesi, një gjë e tillë është e vështirë të ndodhë. Fulhami e kërkoi me ngulm Brojën, te kualiteti dhe cilësitë e të cilit beson shumë. Dhe tifozët shqiptarë shpresojnë që sulmuesi i Kombëtares të rigjejë sa më shpejt formën më të mirë fizike dhe golat në aventurën e tretë në Premier League.
Fabricio Romano bën të ditur se është gjetur akordi mes palëve. “Fulham ka gjetur akordin me Çelsin për huazimin e tij për shumën deri në 4 milion paund. Do të kryejë sot vizitat mjekësore për të finalizuar marrëveshjen”. Futbollisti kuq e zi, ishte kthyer fillimisht në shtator nga lëndimi i rëndë në humbjen 1-0 nga Aston Villa, por që forma e tij nuk ka qenë stabël. Ai ndjente dhimbje të vazhdueshme, derisa është aktualisht edhe nën presion të kohës për Kampionatin Evropian që mbahet në Gjermani në këtë verë. Kështu, Broja duhet të kalojë në huazim tek njëra nga skuadrat e mësipërme, në mënyrë që të ftohet për Euro 2024 nga Sylvinho.