Elbasan, sekuestrohen 550 mijë euro pasuri të vëna nga burime kriminale!
Policia e Elbasanit njofton se ka sekuestruar pasuri me vlerë 550 mijë euro dhe që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të dy shtetasve, të cilët janë dënuar njëri në Itali, tjetri në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.
Sipas njoftimit të policisë së Elbasanit, në kuadër të planit të masave “Sundimi i ligjit”, është finalizuar operacioni policor “Real Estate”.
Njoftimi zyrtar i bluve të Elbasanit:
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u bë sekuestrimi i 2 pasurive të shtetasit A. K., të regjistruara në emër të tij dhe të të afërmve, konkretisht: 1 objekt 3-katësh (me aktivitet bar, restorant dhe hotel), në Cërrik, dhe 1 automjet “Lamborghini”. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi A. K., i cili është i dënuar në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.
Po në zbatim të vendimit të kësaj Gjykate u bë sekuestrimi i pasurisë së shtetasit U. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, konkretisht i një objekti banimi me sipërfaqe 105 m2, në Elbasan. Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri e sekuestruar e ka burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi U. K., i cili ka qenë i dënuar më parë, në Itali, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.