Mijëra porosi për kufjet e Apple, Vision Pro!
Apple deri më tani ka pranuar porosi për 200 mijë njësi të kufjeve Vision Pro në SHBA, përgjatë një periudhe 10-ditore. Kufjet e avancuara me teknologji VR, kanë qenë të disponueshme për t’u porositur online, por shitja e tyre në dyqanet e Apple pritet të fillojë në SHBA nga data 2 shkurt.
Lançimi i këtyre kufjeve vjen tetë muaj pasi u prezantuan nga gjiganti teknologjik në konferencën WWDC 2023. Këto kufje, do të sjellin revolucion teknologjik pasi për shumicën mund të jenë teknologji e paeksploruar. Vision Pro ka të integruar teknologjinë e realitetit virtual dhe realitetit të përzier.
Kufjet Apple Vision Pro u prezantuan në qershor të vitit të kaluar në Konferencën Botërore të Zhvilluesve (WWDC) 2023. Pajisjet kanë teknologji të realitetit të shtuar (AR) dhe realitetit virtual (VR) dhe funksionojnë me sistemin operativ visionOS. Ndërkaq, si me të gjitha produktet e tjera, edhe për Vision Pro do të ketë pengesa në marrjen e porosive të para.
Kjo ndoshta është edhe më e zbatueshme për kufjet e reja pasi analistët kanë parashikuar mungesa të harduerit dhe disponueshmëri fillestare të kufizuar për produktin. Gjithashtu, procesi fillestar për porositjen e kufjeve do të kërkojë një skanim të fytyrës Face ID me një pajisje tjetër nga Apple.
Pra blerësit e mundshëm duhet të kenë gati një iPhone ose iPad për të kaluar procesin e blerjes. Apple duket se dëshiron patjetër që Vision Pro të jetë një pajisje personale dhe e përshtatshme, por jo lehtë e ndarë me të tjerët. Kufjet Vision Pro fillimisht do të jenë të disponueshme në tregjet amerikane me një variant prej 256 GB për 3,499 dollarë.