Rezerva valutore u rrit me 18% vitin e kaluar, arrin rekordin e ri prej 5.85 miliardë eurosh!

vovalbania February 01, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rezerva valutore u rrit me 18% vitin e kaluar, arrin rekordin e ri prej 5.85 miliardë eurosh!

Rezerva valutore vijoi rritjen vitin e kaluar dhe arriti një rekord të ri historik. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 5.85 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore është rritur me 18% ose 895 milion euro krahasuar me fundin e vitit 2022.

Rezerva valutore e vendit administrohet nga Banka e Shqipërisë dhe në pjesën më të madhe mbahet në tituj borxhi e në depozita. Në fund të vitit të kaluar, titujt e borxhit përbënin afërsisht 71% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 21% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend. Duke qenë një ekonomi me pozicion tregtar negativ, sidomos në mallra, Shqipëria është e ekspozuar ndaj situatave kur sigurimi i valutës së nevojshme mund të jetë i vështirë.

Një nga kriteret kryesore në përcaktimin e vlerës minimale të nevojshme të rezervës valutore është arritja e një vlerë të mjaftueshme për të mbuluar të paktën katër muaj importe, ndërsa sipas statistikave të tregtisë së jashtme, në fund të vitit të kaluar rezerva valutore e vendit mbulonte më shumë se tetë muaj importe, duke qenë dukshëm sipër objektivave të saj minimale.

Gjithashtu, rezerva valutore mund të shërbejë si instrument për të mbështetur me likuiditet në valutë sektorin financiar apo për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valutor.

Rritja e rezervës valutore realizohet kryesisht nëpërmjet blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor. Kalendari i ndërhyrjeve parashikon që shuma e synuar për t’u blerë nëpërmjet ankandeve për vitin 2024 do të jetë në intervalin mes 250 milion dhe 330 milion eurove.

Për vitin 2024, Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 20 ankande të blerjes së valutës, që do të zhvillohen mes muajve shkurt dhe dhjetor. Gjysma e tyre do të jenë në variantin spot (me blerje ditën e ankandit), ndërsa gjysma do të jenë të llojit forward njëmujor (me blerje pas një muaji, sipas kursit të fiksuar në datën e ankandit).

Banka e Shqipërisë në tre vitet e fundit ka aplikuar ankandet e llojit forward, si një përpjekje për të nxitur përdorimin e këtyre marrëveshjeve edhe në transaksionet ndërbankare e mes subjekteve private.

Për vitin 2023, kalendari fillestar i ankandeve parashikonte blerje mes shumave të 160 milion dhe 220 milion eurove. Por, si përgjigje ndaj zhvlerësimit të fortë të euros gjatë sezonit veror, Banka e Shqipërisë vendosi ta rrisë shumën e blerë në intervalin midis 220 dhe 300 milion eurove.

Sipas të dhënave zyrtare të raportuara deri në fund të 9-mujorit 2023, sasia e valutës së blerë arriti në afërsisht 200 milion euro, në rritje me 107% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65858 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE