Përshkallëzohen protestat në Greqi/ Fermerët të pakënaqur me premtimet e kryeministrit!
Tre ditë pasi kanë hyrë me traktorët e tyre në Selanik duke rrethuar ekspozitën Agrotica, fermerët grekë po përshkallëzojnë protestat e tyre pasi konsiderojnë si thërrime deklaratat e djeshme të kryeministrit Mitsotakis për ndihmat ekonomike që ata kërkojnë prej qeverisë.
Përveç dhjetëra blloqeve me mijëra traktorë në gjithë vendin,pa mbyllur rrugët kryesore, fermerët bllokojnë përsëri Selanikun në mënyrë të organizuar . 300 traktorëve që ndodhen në qytetin verior të vendit do tu shtohen edhe qindëra të tjerë nga Greqia qëndrore, perëndimore dhe ajo kontinentale. Mbështesin kërkesat e fermerëve edhe peshkatarët që qëndrojnë me varkat e tyre në gjirin e Selanikut
“Vijmë sot këtu të bëhemi një mur, si muri kinez, një front rezistence, sepse shprehja famëkeqe klisheqë e dëgjoni kaq shpesh për një rritje të çmimeve bujqësore nga fusha në raftet e supermarketeve po na vret jo vetëm ne që prodhojmë për edhe kosnumatorët”, tha Yiannis Panagis-zëvendës President i Shoqatës së Bujqësisë Serres.
Një prej kërkesave kulmore për ta është ulja e kostove të prodhimit, e cila në shumë raste nuk i lejon ata as të kultivojnë. Prandaj kërkojnë naftë pa taksa dhe një tavan të çmimit të energjisë elektrike rurale në 7 cent/Kwh.
Gjithashtu kërkojnë dëmshpërblim në masën 100%, për dëmtimet e prodhimit bimor, shtazor , të dyqaneve, makinerive, depove dhe prodhimit të depozituar për të gjithë ata që u prekën nga përmbytjet e stuhive të mëdha në Thessali.
Fermerët theksojnë se problemet e tyre nuk janë intensifikuar vetëm për shkak të krizës klimatike dhe energjetike, por edhe nga Politika e Përbashkët Bujqësore, e cila për ta , ashtu si edhe për bujqit në BE , duket si e shkëputur nga realiteti dhe nga mungesa e masave reale mbështetëse.
“Dëgjojmë BE-në duke folur për axhendën e saj të gjelbër. Por në të njëjtën kohë shohim në thelb importe pakufi nga vendet e treta, pa asnjë kontroll. Shohim për shembull patate nga Egjipti, duke mos ditur si dhe me çfarë mjetesh prodhohen, shohim domate nga Tunizia, hudhra e limona nga Turqia e kështu me radhë”, tha Diamantis Diamantopoulos-president i Shoqatës Bujqësore Serres.
Në këto kushte thonë ata ,nuk mund të kultivojnë, nuk mund të prodhojnë, nuk mund të ushqejnë kafshët e tyre, nuk mund të shesin prodhimet e tyre.
Kostoja e prodhimit çon me saktësi matematikore në kolapsin e plotë të bujqësisë dhe blegtorisë greke dhe shenjat që janë më se të dukshme prej vitesh, pushtetarët i kanë shpërfillur plotësisht- shprehen ata .