BE: Duhet dialog për zgjidhjen e çështjes së institucioneve të udhëhequra nga Serbia në Kosovë!
Bashkimi Europian ndihet i shqetësuar për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Kosovë. Autoriteteve kosovare iu bën thirrje që këtë çështje ta zgjidhin në bisedime me Serbinë, në dialogun e ndërmjetësuar nga Unioni. Në javët e fundit, zyrtarët e Prishtinës mbyllën katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog e Klinë.
Pas mbylljes së tyre, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
BE-ja thekson:
Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetike të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do të kufizojë aksesin e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde e mbështeti reagimin e BE-së dhe shtoi:
Masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit dhe ato janë e kundërta e uljes së tensioneve.
Në fund të janarit, Sveçla njoftoi edhe për kontrollin ndaj një organizate joqeveritare serbe, e vendosur në një shtesë ndërtese të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, siç theksoi “për veprimtari të jashtëligjshme dhe rrezikim të sigurisë së Kosovës”.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore e të mesme, si dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga qeveria e Serbisë. Ato gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jeton komuniteti serb. Këto institucione, sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013-ën, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur një akord për shuarjen e institucioneve paralele, por kjo marrëveshje ende nuk është zbatuar plotësisht.
BE-ja i bëri thirrje Kosovës që çështjen e komunave paralele, që lidhen me themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, ta diskutojë në dialogun e udhëhequr nga blloku 27-anëtarësh.
Statusi i këtyre strukturave është planifikuar të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në tetor të vitit 2023, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve, Kosovës dhe Serbisë, draft-statutin për themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç e pranuan në parim.