Paralajmërimi amerikan për qeverinë e Kosovës: Po nxisni tensione etnike që do të kufizojnë mbështetjen e SHBA-ve!

vovalbania February 04, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Paralajmërimi amerikan për qeverinë e Kosovës: Po nxisni tensione etnike që do të kufizojnë mbështetjen e SHBA-ve!

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier akuzoi qeverinë e Kosovës se me veprimet e fundit po nxit tensione etnike në vend, që sipas tij “po kufizojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë, kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan përmendi operacionet e kryera gjatë javës nga policia e Kosovës dhe ministria e Punëve të Brendshme në zyrat e institucioneve paralele që mbështeten nga Serbia në komunat e Dragashit, Pejës, Istogut e Klinës që ndodhen në pjesën perëndimore të Kosovës, si dhe në organizatën joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.

Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e policisë së Kosovës për sekuestrimin e dinarëve serbë dhe mjetit që transportonte shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë! Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Dy ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se kanë mbyllur zyrat e strukturave paralele të Serbisë brenda Kosovës.

Me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës. Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç dënoi ato që i quajti “operacione të policisë së Albin Kurtit”.

Enklavat në Kosovë janë sulmuar pas vendimit që është vetëm formalisht vendim nga e ashtuquajtura Banka Qendrore e Kosovës, në thelb ky është vendimi i Albin Kurtit.

Vendimi i Bankës Qendrore që hyri në fuqi më 1 shkurt, sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa në Kosovë ka ngritur shqetësimin e diplomatëve perëndimorë se çështja mund të nxisë tensione të reja.

Autoritetet në Kosovë kanë lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë kërkuar nga Prishtina “të shtyhet menjëherë vendimi i Bankës Qendrore, që nuk është këshilluar paraprakisht”.

Ambasadori Hovenier ritheksoi kërkesën amerikane “që Kosova të shtyjë zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës derisa të vendosen procedura të kënaqshme, në përputhje me standardet europiane dhe popullata të jetë mjaft e informuar mbi mënyrën si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE