Operacioni ndërkombëtar antidrogë, Balla: Përgëzime policisë për vendosjen e një niveli të ri besimi!
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në kuadër të operacionit të SPAK në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe Interpol, ku në pranga ranë 67 persona, mes tyre 65 shqiptarë për trafik droge në vende të ndryshme të BE.
Balla ka përgëzuar policinë e shtetit duke theksuar se ka vendosur një nivel të ri besimi dhe bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese.
“Një tjetër operacion ndërkombëtar Interpol, Europol, Eurojust, agjenci ligjzbatuese nga disa vende europiane, me pjesëmarrjen efikase të SPAK dhe Policisë së Shtetit është përmbyllur me sukses të plotë në gjetjen anëtarëve të një grupi kriminal dhe vendosjen e tyre para drejtësisë. Përgëzime strukturave të Policisë së Shtetit në vendosjen e një niveli të ri të rëndësishëm besimi dhe bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese partnere”- tha Balla.
Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është ndërmarrë njëkohësisht në disa shtete mëngjesin e sotëm (5 shkurt 2024) për të ekzekutuar 83 urdhërarreste të lëshuara nga Drejtoria e Antimafias e Firences.
Nga 89 urdhërarreste: 67 të dyshuar u arrestuan në Shqipëri, Itali, Gjermani, Spanjë, dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe ndaj 12 të dyshuarve të tjerë u ndërmorën masa të tjera parandaluese në Itali.
10 persona janë arrestuar në Shqipëri
Ky operacion u ndërmor në kuadër të dy viteve hetim ku kanë bashkëpunuar dhe organizma ndërkombëtare si Eurojust, Interpol dhe Europol.
Operacioni i koduar “Muratori” çmonton një organizatë të strukturuar kriminale të natyrës transnacionale të përfshirë, në nivele të ndryshme, në aktivitete të trafikut të drogës (kokainë, heroinë,ekstazi, hashash dhe marihuanë), në Itali dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, si dhe në Shqipëri si dhe me tregtinë me pakicë të lëndëve narkotike në Firence.
“Rrjeti kryesisht trafikonte heroinë, kokainë, hashash duke përdorur makina me dysheme të dyfishtë ose ndarje të fshehta” informoi sot SPAK.
Në një konferencë të përbashkët me prokurorët e antimafias, Prokurori i SPAK Vladimir Mara tha kishin dokumentuar veprimtarinë e 4 grupeve kriminale që kishin shtrirë aktivitetin e tyre në pothuajse të gjithë Europën duke e furnizuar me sasi të konsiderueshme lëndës narkotike
Veç arrestimeve anëtarëve të grupeve kriminale u janë sekuestruar dhe pasuritë e vendosura në Shqipëri mes tyre 200 llogari bankare dhe 30 shoqëri tregtare e 18 pasuri të paluajtshme