Pavarësisht protestave, konstituohet parlamenti serb: Opozita betohet në korridor!!
Deputetët e opozitës u mblodhën rreth foltores me pankarta ku shkruhej “I keni vjedhur zgjedhjet” dhe “Hajdutë kthejini mandatet”: protesta e tyre megjithatë pati më shumë vlerë simbolike, pa mundur të ndalonte konstituimin e Kuvendit të Serbisë ku u konfirmuan mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.
Shumicën në parlament e ka Partia Progresive Serbe (SNS) me partnerët e saj të koalicionit. Lista e saj zgjedhore, Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk duhet të ndalet, siguroi 129 nga 250 vende që janë gjithsej, duke kapërcyer kështu pragun e 126 mandateve që nevojiten për mazhorancën parlamentare.
I dyti për nga numri i vendeve në parlament renditet koalicioni opozitar Serbia kundër dhunës, me 65 mandate. Ky i fundit pretendon se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, dhe për shkak të akuzave për manipulime, deputetët e tij zgjodhën të mos e bënin betimin në sallën e Parlamentit, por në korridor. “Nuk mundemi të betohemi me njerëz që kanë fituar mandate duke “vjedhur në zgjedhje”, deklaruan ata.
Rreth gjysmë ore zgjati seanca konstituive e parlamentit të Serbisë, kohë gjatë të cilës vetëm u konfirmuan mandatet e ligjvënësit bënë betimin. Akuza të shumta janë hedhur për regjistrim votuesish në adresa fiktive në qytete të ndryshme në Serbi me qëllimin të votohej për Partinë Progresive Serbe në vendet ku në fakt favorizohej opozita. Në Beograd janë dokumentuar sipas ankesës në Gjykatën Kushtetuese rreth 3000 incidente të tilla, e konsiderohet se kjo është vetëm maja e ajsbergut.