23 aktakuza ndaj 76 personave për krime lufte për tri vjet në Kosovë!
23 aktakuza për krime lufte janë ngritur nga viti 2020 deri në vitin 2023. Kështu u tha në diskutimin “Ngritja e kapaciteteve në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Ngritja e kapaciteteve në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë, janë dy nga sfidat të cilat u theksuan nga përfaqësuesit e prokurorisë dhe gjykatës.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se rekomandim i vazhdueshëm mbetet ngritja e kapaciteteve për hetimin e krimeve të luftës.
“Ngritja e kapaciteteve duhet të jetë e vazhdueshme për arsye se stafi ndërrohet shpesh, bashkëpunëtorët avancohen, prokurorët ndoshta i ndërrojnë shpesh edhe departamentet. Krimet e luftës i kanë format e përgjegjësisë penale shumë specifike, janë format direkte, përgjegjësia komanduese, ndërmarrja e përbashkët kriminale që është pak apo fare e panjohur për gjyqësorin vendor dhe sigurisht që prokurorët, gjyqtarët e policët kanë nevojë që të shkëmbejnë përvojat me rajonin, me ndërkombëtarët të cilat i kanë trajtuar apo kanë më shumë eksperiencë në trajtimin e këtyre rasteve”,tha ai.
Ndërkaq, Prokurori special, Ilir Morina deklaroi se ngritja e kapaciteteve të institucioneve paraqet sfidë të vazhdueshme. Ai u shpreh se aktualisht po punojnë me tre prokurorë, pas pensionimit të prokurores speciale, Drita Hajdari.
“Ngritja e kapaciteteve të institucioneve tona për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës paraqet një sfidë të vazhdueshme, ka qenë sfidë dhe vazhdon të jetë sfidë. Megjithatë, ne këtë sfidë po e trajtojmë dhe po mundohemi që t’i rrisim kapacitet në mënyrë që të adresojmë çështjet të cilat i keni adresuar ju si shoqëri civile, mediat dhe opinioni publik. Siç e dini, megjithatë që në vitin 2015 kanë qenë një ose dy prokurorë të krimeve të luftës, autoriteti ka qenë ekskluziv i EULEX-it. Ne mund të flasim për mandatin e plotë që nga qershori i vitit 2018 dhe nga viti 2018 deri në vitin 2020 mund ta trajtojmë një periudhë tranzitore, kur ne kemi pranuar lëndët kemi skanuar gjendjen”, u shpreh ai.
Ai tregoi edhe numrin e aktakuzave që janë ngritur nga periudha që kanë marrë kompetencat për hetimin e krimeve te luftës.
“Aktakuzat të PSRK-së për rastet e krimeve të luftës nga viti 2019 deri në vitin 2019, PSRK ka ngritur 12 aktakuza ndaj 13 personave. Nga viti 2020, ai momenti që ne i morëm kompetencat dhe filluam të ngrisim kapacitetet deri në fund të vitit 2023 janë ngritur 23 aktakuza ndaj 76 personave…Sa i përket pushimit të hetimeve, nga viti 2016 deri në vitin 2019, Prokuroria Speciale ka pushuar 33 raste nga 77 personave, ndërkaq nga viti 2020 deri në vitin 2023 kemi pushimin e 7 rasteve me 18 persona”,shtoi ai.
Edhe udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valon Kurtaj tha se sfidë është ngritja e kapaciteteve. Ai përmendi gjykimin në mungesë për të cilin tha se është hap i rëndësishëm pozitiv.
“Departamenti Special si sfidë tjetër të brendshme e ka edhe gjykimin në mungesë, ku pati ndryshime të mëdha legjislative, dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, mirëpo ato ndryshime legjislative për një kohë të gjatë nuk na krijuan kushte të mundshme reale për të trajtuar rastet e krimeve të luftës me gjykim në mungesë. Tek ndryshimet e fundit legjislative të cilat kanë ndodhur, ne krijuam një bazë që mund të trajtojmë rastet e krimeve të luftës në mungesë, ku gjykatat veç kanë filluar të trajtojnë këto raste, e që është një hap pozitiv”, u shpreh ai.
Kurse, Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, Bashkim Spahiu theksoi se janë 32 zyrtarë që merren me raste hetimore.
“Ne kemi arritur në mënyrë të suksesshme vitin e kaluar të finalizojmë ose të adresojmë 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale. Këto kallëzime penale janë të paraqitura gjithsej 204 persona të dyshuar. Po ashtu gjatë vitit të kaluar për krime të luftës i kemi 12 të dyshuar të arrestuar, 10 prej tyre janë në mbajtje, janë në masë të paraburgimit. Kemi trashëguar shumë lëndë hetimore, ato po shtohen dita-ditës prej denoncimeve që vijnë në forma të ndryshme, qoftë prej burimeve të hapura apo qytetarëve”, përfundoi Spahiu.
Ai teksa foli për sfidat, u shpreh se ka kaluar kohë e gjatë prej luftës së fundit në Kosovë dhe se shumë gjurmë kanë humbur.
Nga Prokuroria Speciale deri më tani janë ngritur 33 aktakuza me rreth 90 të pandehur. Në Tribunalin e Hagës janë dënuar gjashtë eprorë serbë, të cilët kanë pasur hierarki të larta komanduese gjatë kohës së luftës, në pesë prej tyre ka pasur edhe vepra penale të dhunimit seksual.