Rregullorja e BQK-së për dinarin, ministri Rashiç: Jemi në periudhë tranzicioni!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Rregullorja e BQK-së për dinarin, ministri Rashiç: Jemi në periudhë tranzicioni!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2024/02/rregullorja-e-bqk-se-per-dinarin-ministri-rashic-jemi-ne-periudhe-tranzicioni-scaled.jpg)
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç bëri të ditur se gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti ranë dakord me përcaktimin që rregullorja e Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit është në një periudhë tranzicioni.
Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euro të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në gjithë Kosovën, hyri në fuqi më 1 shkurt edhe pse pati presion të madh ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj. Rashiç u shpreh:
Kur u takova me kryeministrin, kemi ardhur deri te ky përfundim që kjo është një periudhë tranzicioni kështu që shfrytëzuesit ta kenë një mundësi që të përgatiten për përdorimin e kësaj rregulloreje. Nga ana juridike dhe teknike kjo është mënyra e duhur që të vazhdojmë.
Një ditë më parë, Albin Kurti deklaroi se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni ka nisur. Po ashtu, kryeministri i Kosovës vuri në dukje se gjatë këtij muaji, autoritetet do të ofrojnë informacione që “ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.
Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, tha Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij më 6 shkurt.
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që prej kohës së pasluftës. Beogradi zyrtar ia paguan serbëve të Kosovës pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera. Këtë e bën përmes një sistemi paralel.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e ka kritikuar ashpër vendimin e BQK-së, duke e konsideruar vendimin e autoriteteve si një përpjekje për dëbimin e serbëve nga Kosova.