Kryen një pagesë prej 25 milionë dollarësh dhe më vonë kupton se ‘drejtori’ që kishte urdhëruar pagesën ishte Inteligjenca Artificiale!
Një punonjës në sektorin financiar të një kompanie në Kinë u mashtrua duke paguar 25 milionë dollarë për një keqpërdorues që përdori teknologjinë “deepfake” dhe u paraqit përmes një video-telefonate si drejtor i kompanisë. Sipas CNN, ky person mashtroi një punonjës duke marrë pjesë në një video-telefonatë me ata që ai mendonte se ishin disa punonjës të tjerë por të gjithë ishin produkte të Inteligjencës Artificiale.
“Në një video-konferencë me shumë persona, doli që të gjitha videot ishin të rreme”,-tha një inspektor i lartë i policisë për mediat lokale. Inspektori tha se punëtori u bë i dyshimtë pasi mori një mesazh që pretendohej të ishte nga shefi financiar i kompanisë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Fillimisht punonjësi dyshoi se bëhej fjalë për një “mail phishing”, pasi në e-mail përmendej nevoja për të kryer një transaksion sekret. Megjithatë, punëtori i la mënjanë dyshimet pas video-telefonatës sepse të pranishmit e tjerë dukeshin dhe tingëllonin njësoj si kolegët që ai njohu.
Duke besuar se të gjithë të tjerët në thirrje ishin real, punëtori pranoi të paguante rreth 25.6 milionë dollarë. Ky është vetëm një nga disa rastet e fundit ku mashtruesit kanë përdorur teknologjinë “deepfake” për të modifikuar videot e disponueshme publikisht për të mashtruar njerëzit. Në një konferencë për shtyp, policia e Hong Kongut tha se kishte arrestuar gjashtë persona për mashtrime të tilla. Policia tha se në të paktën 20 raste, teknologjia “deepfake” e AI është përdorur për të imituar fytyrat e njerëzve dhe jo vetëm.
Inteligjenca artificiale do të prekë gati 40% të të gjitha vendeve të punës, sipas një analize të re nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva tha se “AI do të përkeqësojë pabarazinë”. Georgieva shtoi se politikëbërësit duhet të adresojnë “prirjen shqetësuese” për të “parandaluar teknologjinë nga nxitja e mëtejshme e tensioneve sociale”. Përhapja e inteligjencës artificiale ka vënë në qendër të vëmendjes përfitimet dhe rreziqet e saj.