Zgjedhorja online pasi Rithemelimi pengon mbledhjet fizike/Seancë dëgjimore me Shoqërinë Civile!
Me deputetët e Rithemelimit që kanë bllokuar mbledhjen fizike, Komisioni për Reformën Zgjedhore u mblodh online, për të shmangur dështimin e radhës. Dy bashkëkryetarët, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Enkelejd Alibeaj po drejtojnë seancën dëgjimore me organizatat e Shoqërisë Civile.
Alibeaj i tërhoqi vëmendjen Gjiknurit duke i thënë se po merr më shumë kohë gjatë fjalës së tij. Gjiknuri nënvizoi se për përfaqësuesit e organizatave të Shoqërisë Civile u përpoq të nënvizonte se duhet të parashtrojnë rekomandime të vlefshme për Reformën Zgjedhore dhe jo të komentojnë mbi problematikat e mbledhjes së komisionit.
Gjiknuri vuri në dukje se çdo përfaqësues i organizatave ka në dispozicion nga 15 minuta kohë për të parashtruar të gjitha rekomandimet mbi Reformën Zgjedhore.
Koha e limituar për çdo pjesëmarrës të mos i kalojë 15 minuta. Besoj se është e mjaftueshme që të adresohen të gjithë rekomandimet që keni.
Alibeaj deklaroi se mbledhja online ishte e vetmja mënyrë që përfaqësuesit e organizatave civile të mund të parashtrojnë rekomandimet e tyre, në pamundësi të mbledhjeve fizike.
Ju kërkoj ndjesë për moszhvillimin e kësaj mbledhje disa ditë më parë, për arsye që tashmë dihen. Besoj kam mirëkuptimin tuaj dhe kjo është një mënyrë që do ju japë mundësi të shprehni pikëpamjet tuaja mbi atë se çfarë duhet të diskutojë Komisioni i Reformës Zgjedhore. E mira do të ishte që përveç përshkrimit të asaj se çfarë mendoni, të depozitoni në formë të shkruar materialet që do të prodhoni gjatë kësaj periudhe.
Pjesë nga diskutimi:
Alibeaj: Jemi bashkëkryetarë dhe të drejtat janë të barabarta. Sapo harxhuat më tepër kohë nga sa premtuat.
Gjiknuri: Si bashkëkryetar, mendova se fola edhe në emër të të tjerëve, megjithatë edhe ky është bashkëdrejtim.
Alibeaj: Flisni në emrin tuaj sepse nuk është e hijshme që ne i thërrasim organizatat e Shoqërisë Civile dhe pastaj t’i agresojmë në një farë mënyrë, nuk do të ishte e ndershme. As unë mund të mos jem dakord me konsideratat që Gogo tha në lidhje me procesin politik, por ne duhet ta dëgjojmë.