Britania e Madhe sanksionon kolonë izraelitë në Bregun Perëndimor!

vovalbania February 12, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Britania e Madhe sanksionon kolonë izraelitë në Bregun Perëndimor!

Britania e Madhe i ka sanksionuar katër shtetas izraelitë të hënën, duke thënë se ata janë kolonë “ekstremistë”, të cilët i kanë sulmuar palestinezët në Bregun Perëndimor të uzurpuar nga Izraeli.

Katër shtetasit izraelitë përballen me masa të rrepta financiare dhe të udhëtimit, për të cilët Britania tha se kishin bërë “shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut”.

“Kolonët ekstremistë izraelitë po i kërcënojnë palestinezët, shpesh me armë, duke i detyruar t’i braktisin tokat që ligjërisht janë të tyre”, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron.

“Kjo sjellje është e jashtëligjshme dhe e papranueshme. Izraeli po ashtu duhet të ndërmarrë veprime më të fuqishme dhe t’i japë fund dhunës së kolonëve. Shpesh shohim premtime të dhëna që nuk përmbushen”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Britanisë tha se shkalla e dhunës nga kolonët ka qenë e paparë gjatë vitit të fundit në Bregun Perëndimor.

Edhe Shtetet e Bashkuara i sanksionuan katër kolonë izraelitë në fillim të këtij muaji, duke i akuzuar për përfshirje në dhunë në Bregun Perëndimor.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur prej se Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – e sulmoi Izraelin më 7 tetor.

Autoritetet palestineze thonë se disa palestinezë janë vrarë, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut thonë se kolonët kanë djegur vetura dhe i kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduine, duke i detyruar të evakuohen.

Izraeli e uzurpoi Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme më 1967, bashkë me Rripin e Gazës dhe Jerusalemin lindor.

Palestinezët i kërkojnë këto territore për një shtet të pavarur që shpresojnë ta kenë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65784 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE