Izraeli shpëton dy pengje në Rafah, vriten 50 palestinezë!

vovalbania February 12, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli shpëton dy pengje në Rafah, vriten 50 palestinezë!

Ushtria izraelite njoftoi se ka shpëtuar dy pengje gjatë një kontrolli në orët e para të mëngjesit, duke shënuar një sukses të vogël, por me rëndësi simbolike në përpjekjen e saj për të liruar mbi 100 pengje që besohet se po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Të paktën 50 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore, pjesë e këtij operacioni. Shifrën e dhanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Aksioni u krye në Rafah, qytet në skajin jugor të Rripit të Gazës ku 1.4 milion palestinezë janë zhvendosur për t’iu ikur luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit, në pjesën tjetër të territorit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një banese në Rafah dhe po ruheshin nga pjesëtarë të armatosur të Hamasit.

Njësitë speciale hynë në ndërtesë mes shkëmbimit të zjarrit, në orën 01:49 dhe një minutë më vonë, ushtria kreu sulme ajrore në zonat përreth. Anëtarët e ekipit të shpëtimit mbrojtën pengjet me trupat e tyre teksa u zhvillua një betejë e ashpër me shumë luftëtarë të Hamasit.

Sipas Dr.Marwan al-Hams, drejtor i spitalit Abu Youssef al-Najjar, në mesin e të vrarëve nga sulmet izraelite në Rafah kishte gra dhe fëmijë.

Ndërkaq, pengjet e shpëtuara u dërguan në një “zonë të sigurt” aty afër dhe iu nënshkruan një kontrolli të shpejtë mjekësor para se të dërgoheshin në një spital në Izraelin qendror.

Izraeli e ka përshkruar Rafahun si bastionin e fundit të mbetur të Hamasit në Gaza dhe ka sinjalizuar se shumë shpejt, një ofensivë tokësore do të shënjestrojë këtë qytet të mbushur me banorë. Dje, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan, Joe Biden e ka paralajmëruar kryeministrin Benjamin Netanyahu, se Izraeli nuk duhet të kryejë një operacion ushtarak kundër Hamasit në Rafah pa një plan “të besueshëm dhe të zbatueshëm” për të mbrojtur civilët.

Ushtria izraelite identifikoi pengjet e shpëtuara si Fernando Simon Marman, 60 vjeç dhe Louis Har, 70, të rrëmbyer nga luftëtarët e Hamasit nga fshati Nir Jizhak më 7 tetor, kur grupi radikal kreu sulme në jug të Izraelit, duke nxitur luftën e fundit.

Sipas autoriteteve, të dy pengjet e shpëtuar u dërguan në spitalin Sheba dhe u tha se janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata janë dy nga tre pengje që Izraeli ka arritur të lirojë me sukses, pasi në nëntor  u shpëtua një ushtare.

Operacioni i shpëtimit bazohej në informacione të sakta të inteligjencës dhe ishte planifikuar prej kohësh.

Hamasi vrau 1.200 persona dhe rrëmbeu 250 të tjerë gjatë sulmeve të 7 tetorit. Ndërkaq, nga ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit janë vrarë mbi 28 mijë palestinezë. Eshtë zhvendosur mbi 80% e popullsisë.

Mbi 100 pengje u liruan gjatë armëpushimit njëjavor në nëntor. Izraeli thotë se rreth 100 të tjerë vazhdojnë të jenë nën kontrollin e Hamasit dhe se grupi po mban mbetjet mortore të 30 viktimave. Tre pengje u vranë gabimisht nga ushtria izraelite, pasi kishin arritur të arratiseshin në dhjetor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65240 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE