Biden nxit presidentin serb Vuçiç të bëjë edhe kompromise me Kosovën!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se e inkurajon Serbinë që të bëjë hapa përpara, “përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme”, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë që të punojnë nga afër me ju, me Prishtinën dhe me partnerët tanë nga Bashkimi Europian, për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri komentet në një mesazh urimi dërguar presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Serbisë. Biden shtoi edhe se e inkurajon Serbinë që të vazhdojë të ecë përpara me promovimin e paqes e të stabilitetit në rajon.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011. Siç dihet, kohët e fundit, qeveria e kryeministrit Albin Kurti nxiti një reagim të ashpër nga SHBA-të me një vendim që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Zyrtarë të administratës amerikane kërkuan tërheqjen e këtij vendimi, duke paralajmëruar se çështja mund ta rrezikojë partneritetin me SHBA-të, si dhe inkurajuan Kosovën që të angazhohet në dialog me Serbinë.
Në telegramin dërguar Vuçiçit e që e publikoi faqja zyrtare e presidencës serbe, presidenti amerikan vuri gjithashtu në dukje se “nën drejtimin e tij, Serbia i është bashkuar grupit të vendeve demokratike në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që e dënojnë luftën e Rusisë në Ukrainë”.
Eshtë e rëndësishme që ne të mbetemi të bashkuar në dërgimin e mesazheve të fuqishme të mbështetjes për Ukrainën dhe në dënimin e luftës brutale që Rusia e ka zgjedhur vetë.
Serbia ka votuar për disa rezoluta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që e dënojnë pushtimin rus të Ukrainës e që vijon prej dy vitesh, por nuk i është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.