Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë takohet me Putinin në Tatarstan!

vovalbania February 21, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë takohet me Putinin në Tatarstan!

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik – i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe – u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 21 shkurt në qytetin Kazan në Republikën e Tatarstanit, e cila është pjesë e Rusisë, njoftoi Kremlini.

Dodiku i tha Putinit përmes një përkthyesi se Republika Sërpska nuk pranon t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pavarësisht, siç thotë ai, trysnisë së përditshme, dhe se nuk dëshiron të anëtarësohet në aleancën e NATO-s.

“Ne i konfirmojmë marrëdhëniet e mira që Republika Sërpska i ka dhe i kultivon me shtetin rus dhe me ju. Ajo që po bëjmë ne në rrethanat e tanishme është se ne refuzojmë çdo mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë,” tha Dodik.

Ai theksoi se marrëdhëniet në Bosnjë e Hercegovinë janë të komplikuara nga, siç tha ai, “fakti që ne jemi ende nën protektoratin e Perëndimit”, dhe ai i përsëriti pretendimet e tij të mëparshme – për të cilat ai e ka mbështetjen e Rusisë – se përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, nuk u emërua në këtë detyrë me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet e tij të mira me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, duke thënë se kjo “e bën situatën më të lehtë” për Republikën Sërpska.

Putin vlerësoi se vizita e Dodikut do të jetë “e dobishme” dhe se ai i është mirënjohës për mbajtjen e kontakteve të rregullta dhe se marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Republikës Sërpska janë konstruktive.

“Përfaqësuesit e udhëheqjes së Republikës Sërpska na vizitojnë rregullisht dhe bashkëpunojnë me ne në fusha të ndryshme. Jam i sigurt se kjo vizitë e juaja do të jetë gjithashtu e dobishme dhe se ne do të mund të shfrytëzojmë kohën për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe në shumë fusha të ndryshme”, tha Putin.

Në fillim të takimit, Putin tha se “Rusia e di se situata nuk është e thjeshtë”.

Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre vendosën një sërë sanksionesh kundër Rusisë.

Ky është takimi i katërt i Dodikut me Putinin prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës dhe biseda e tyre e dhjetë prej vitit 2014.

Dodiku dhe Putini u takuan për herë të fundit në maj 2023, kur Dodiku tha se “Republika Sërpska mbetet proruse, antiperëndimore dhe antiamerikane”.

Zyra e përfaqësuesit të lartë në Bosnjë e Hercegovinë, me rastin e takimit të Dodikut me Putinin, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se “Bosnjë e Hercegovina ka marrë përsipër t’i ndjekë udhëzimet e sigurisë dhe politikës së jashtme të BE-së”, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Kjo përjashton bashkëpunimin me vendet që janë nën sanksione, si dhe takimet personale me krerët e atyre vendeve”, tha kjo zyrë.

Dodik është një prej zyrtarëve të pakët që është takuar me zyrtarët rusë dhe bjellorusë që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës.

Ai arriti në Kazan, kryeqytetin e Tatarstanit, pasi për dy ditë qëndroi në vizitë në Bjellorusi, ku më 19 shkurt u takua me liderin autoritar, Alyaksandr Lukashenka, i cili është nën sanksione nga BE-ja që nga viti 2020, për shkak të parregullsive në zgjedhjet presidenciale të atij viti, që ai pretendoi se i ka fituar.

Në kryeqytetin e Tatarstanit zhvillohet një turne i teknologjisë së lartë dhe i shumë sporte të ndryshme në nivel ndërkombëtar, i quajtur “Lojërat e së ardhmes”, i cili mbledh rreth dy mijë pjesëmarrës.

Megjithatë, retorika proruse dhe afërsia me liderët rusë nuk tregojnë ndonjë përfitim konkret për Republikën Sërpska. Investimet nga 27 vendet anëtare të BE-së përbëjnë 64 për qind të totalit të investimeve të huaja në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa investimet ruse arrijnë në më pak se katër për qind.

Në Republikën Sërpska, Rusia është e pesta në listën e investitorëve, pas fqinjëve Serbisë, Italisë, Austrisë dhe Britanisë së Madhe.

Disa projekte të mëdha, të cilat qeveria e Republikës Sërpska i nisi në këtë entitet me kompanitë dhe oligarkët rusë, çuan në humbje shumëmilionëshe.

Ndër to janë rivitalizimi i pasuksesshëm i fabrikës së aluminit Biraç në Zvornik, me kompaninë e oligarkut rus Vladimir Romanov, ndërtimi i dështuar i termocentralit Ugljevik dhe hidrocentralit “Mrsovo” në lumin Lim, në komunën e Rudos, si dhe shitjen e industrisë së naftës tek kompania shtetërore ruse Zarubrezhneft.

Baza më e fortë e Rusisë në Bosnjë e Hercegovinë është në industrinë e naftës, konkretisht në Optima Group, kompania më e madhe e naftës në Bosnjë e Hercegovinë, në pronësi të Zarubezhneft, një kompani shtetërore ruse e ngarkuar me operacionet e naftës jashtë vendit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE