Shpalli zyrtarisht kandidaturën, Von der Leyen premton mbështetje për zgjerimin…

vovalbania February 21, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shpalli zyrtarisht kandidaturën, Von der Leyen premton mbështetje për zgjerimin…

Presidentja aktuale e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së cilës i skadon mandati në fund të vitit, është prezantuar të mërkurën si kandidate udhëheqëse e Partisë Popullore Evropiane (EPP), për një mandat të ri pesëvjeçar.

Kandidatura e Von der Leyenit është shpalosur nga Manfred Weber, shef i këtij grupimi politik të qendrës së djathtë evropiane, që është grupi më i madh në Parlamentin Evropian.

Presidentja e KE-së ka premtuar se, nëse fiton edhe një mandat, do të vazhdojë punën në shumë fusha në të cilat ka punuar edhe në mandatin e tashëm, përfshirë edhe në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në asistencën financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjithmonë kam qenë mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të BE-së. Por, në të njëjtën kohë, kam shtuar qartë se ky do të mbetet proces i bazuar në meritat individuale”, ka thënë Von der Leyen më 21 shkurt.

“Mbetem e përkushtuar ndaj këtij parimi, por jam, po ashtu, e lumtur se vendet e Ballkanit Perëndimor, e po ashtu edhe Ukraina, Moldavia, po bëjnë gjithçka që po munden për t’i kryer reformat e nevojshme dhe për të lëvizur drejt Bashkimit Evropian”, ka shtuar ajo.

“Do të më shihni edhe në mandatin e ardhshëm si mbështetëse të fuqishme të zgjerimit dhe të Ballkanit Perëndimorë”, ka deklaruar Von der Leyen.

Duke shpalosur kandidaturën për një mandat të ri, Von der Leyen ka thënë se “plani për rritje është mesazh i qartë. Kemi fondet dhe kjo është e rëndësishme. Kemi mjetet dhe tash jemi në proces të definimit të detajuar të planit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të parë se cilat reforma janë të nevojshme për secilin vend, si kusht për këtë plan, si do t’i përdorim dhe si do t’i përfshijmë ato vende në tregun tonë të përbashkët”.

“Puna po shkon shumë mirë dhe kemi një entuziazëm të madh nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sapo të përmbushen kushtet bazike, pagesat e para do të mund të realizohen shpejt”, është shprehur ajo.

Von der Leyen ka thënë, po ashtu, se edhe nëse fiton mandatin e ri, do të vazhdojë me mbështetjen për Ukrainën dhe se nuk do të bashkëpunojë me miqtë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, as me ata që janë kundër BE-së dhe kundër Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Sipas parimit të njohur si “Spitzen kandidat” (Kandidati udhëheqës), grupimet politike evropiane, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, shpallin kandidatin e tyre për president të Komisionit Evropian.

Partia që fiton shumicën e vendeve në Parlamentin Evropian kërkon pastaj që kandidati i saj të fitojë postin në krye të Komisionit.

Por, kjo varet edhe nga liderët e vendeve anëtare, të cilët duhet të zgjedhin kreun e Komisionit Evropian, që më pas konfirmohet nga shumica e deputetëve në Parlamentin Evropian.

Zgjedhjet evropiane në 27 vende anëtare zhvillohen nga 6 deri më 9 qershor 2024.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65688 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE