8 minuta seancë, me 77 vota Kuvendi miraton marrëveshjen Itali – Shqipëri për emigrantët!
Miratohet me 77 vota marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët që pasi zbarkojnë në brigjet italiane mund të presin në dy qendra në zonën e Lezhës derisa t’iu shqyrtohen kërkesat për azil. Marrëveshja mori edhe tre votat e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU. Deputetja e kësaj partie, Mesila Doda iu referua Italisë si një shtet mik që e kemi pasur në krah dhe duhet t’i jemi në krah.
Ka patur një votim të deputetëve të PDIU-së pro marrëveshjes me Italinë dhe bëhet fjalë për një shtet mik, për një shtet që është gjetur gjithmonë pranë nesh në momente tona të krizave. Ne duhet të jemi krah tyre. Eshtë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nuk bëhet fjalë të mbështesim individë si Fredi Beleri, por flasim për një vend mik.
Ndërkohë me 74 vota pro u hoq nga rendi i ditës votimi i Amnistisë Penale pasi nuk u arrit konsensusi me opozitën dhe miratimi kërkonte 84 vota. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi:
Në Kuvend është depozituar kërkesa e kryetarit të grupit të Partisë Socialiste për ndryshimin e rendit të ditës, ku kërkohet heqja nga rendi i ditës së projektligjit për dhënie amnistie.
Duket se Amnistia Penale ka mbetur peng i këtyre 84 votave teksa nuk u arrit konsensusi me opozitën. Kur dukej se palët po arrinin një dakordësi, PD-ja e Bashës dhe Rithemelimi deklaruan votën kundër.
Ndërkaq, me 74 vota u miratua ligji “Për zonat e mbrojtura”. Seanca zgjati vetëm 8 minuta pasi deputetët e Rithemelimit vijuan me aksionin bllokues që vazhdon prej muajsh tashmë.
Më herët, deputetja demokrate Albana Vokshi e cilësoi “dënim politik” përjashtimin nga seanca plenare pas tensioneve të krijuara javën e kaluar.
Mbledhja e Byrosë u dështua sepse në bazë të audios dhe videos që unë kisha në dispozicion nuk ka pasur asgjë për të bazuar dënimin e tyre. Eshtë dënim politik. Kemi bërë një letër pas dështimit të mbledhjes së Byrosë Politike. Njoftova kryetaren e Kuvendit sepse në bazë të rregullores në momentin që bëhet ankimi, vendimi i komisariatit pezullohet. Tani nuk ke të drejtë as të ankimohesh. Mund të të heqin mandatin dhe nuk ke një organ që të ankimosh, që të vërtetosh që nuk ke kryer asnjë shkelje të rregullores.