Bujar Osmani, kandidati shqiptar për president në Maqedoninë e Veriut!
Në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi se Bujar Osmani do të jetë kandidati i tyre për president në zgjedhjet e muajit maj. Nga selia e partisë që drejton, Ahmeti kërkoi që të gjithë të qëndrojnë së bashku në kërkesën për ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e presidentit e të zëvendëspresidentit të shtetit në parlament, si dhe përfshirjen e komunitetit bullgar e të të tjerëve në Kushtetutë.
Para jush, po bëj zotimin se ne nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie e cila nuk e ndryshon kushtetutën dhe do të dalim në opozitë për t’i luftuar dhe mposhtur këto kërcënime ekzistenciale për vendin tonë.
Për këtë, kërkojmë besimin tuaj sepse këto punë duan forcë, parti të fuqishme dhe të vendosur që do ti bëjë ballë punëve të mëdha. Ne kemi dëshmuar në të kaluarën se kemi mbajtur premtimet e thëna. Bujari ka dëshmuar vetën në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka qënë pjesëmarrës në betejën kundër Rusisë, iniciator për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, sipas agjencisë maqedonase të lajmeve, MIA, kryesia e LSDM-së ka marrë vendim që ta mbështesë për mandatin e dytë presidencial Stevo Pendarovskin. Burime nga kjo parti informojnë se dje pasdite në mbledhjen e kryesisë së LSDM-së u vendos që Stevo Pendarovski të mbështetet për kandidat për president të vendit.
Në ditët në vijim, tashmë janë planifikuar takime me partnerët e koalicionit, ndërsa më 3 mars do të zhvillohet edhe konventa promovuese zyrtare.
Pendarovski është kandidat fitues, me kapacitetin më të madh të koalicionit, i cili së bashku me LSDM-në dhe partitë nga blloku progresiv, demokratik, fuqimisht e ndan vizionin për të ardhmen europiane të shtetit.
Kandidatja e vetme e paraqitur në garën publike të VMRO-DPMNE/së është profesoresha dhe deputetja Gordana Siljanovska Davkova.