Kuvendi miratoi marrëveshjen me emigrantët, kryeministri Rama: Shqipëria vepron si vend i BE-së!
Kryeministri Edi Rama reagoi pas miratimit të marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Shefi i qeverisë vuri në dukje se “Shqipëria po vepron si një vend anëtar i Bashkimit Europian”.
Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë! Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Europa duhet të përballojë e bashkuar si një familje e tërë përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta.
Duke punuar së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorni këtë çështje si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që vetëm sa rrit ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt.
Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë madhësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyra e të menduarit e kaluar nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet. Vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane, besnike ndaj vetvetes mundet.
Në një seancë plenare me zhurmues dhe që për shkak të aksionit të grupeve Bardhi-Berisha zgjati vetëm 8 minuta, me 77 vota u miratua marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët që pasi zbarkojnë në brigjet italiane mund të presin në dy qendra në zonën e Lezhës.
Marrëveshja mori edhe tre votat e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU. Deputetja e kësaj partie, Mesila Doda iu referua Italisë si një shtet mik që e kemi pasur në krah dhe duhet t’i jemi në krah.
Ndërkohë me kërkesë të Partisë Socialiste, nga rendi i ditës u hoq votimi i Amnistisë Penale pasi nuk u arrit konsensusi me opozitën dhe miratimi kërkonte 84 vota. Duke komentuar këtë veprim, Gazment Bardhi tha se PS-ja u tërhoq se sipas tij, “nuk arriti dot pazarin”, si dhe hodhi sërish akuza se duan të amnistojnë ministra e kryetarë bashkish për të cilët u shpreh se janë “të korruptuar”. Një koment e pati edhe për miratimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët duke e quajtur “të turpshme”.
Ndërkaq, me 74 vota u miratua ligji “Për zonat e mbrojtura”. Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se është në shkelje të direktivave të BE-së dhe se sipas saj “Brukseli po përgatit një notë proteste për vendin tonë”. Ministrja Mirela Kumbaro hodhi poshtë akuzat e theksoi se do të ketë ndërtime strategjike, por me filtra strikte.