Dy vite nga pushtimi rus, ambasadori i Ukrainës: Mirënjohje Shqipërisë që hapi dyer për ukrainasit
Ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov ka shprehur mirënjohjen për Shqipërinë që u hapi dyert ukrainasve që u detyruar të largohen pas nisjes së agresionit rus.
Në një manifestim të organizuar nga Bashkia e Tiranës në solidaritet me popullin e Ukrainës, diplomati Shkurov u shpreh se ndihma e aletëve ka qenë e çmuar.
Ambsadori theksoi se agresioni rus gjatë këtyre dy viteve i ka treguar Ukrainës se kush janë miqtë dhe armiqtë e saj.
“Ju falënderoj për mbështetjen dhe solidaritetin për atë që ne jemi këtu sot, për të dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës. Asnjëherë nuk do e harrojmë mëngjesin e para dy viteve si sot. Këto dy vite agresioni na kanë treguar cilët janë miqtë dhe armiqtë tanë.
Ukrainasit guximtarë patën besim në veten e tyre dhe po luftojnë edhe sot për fitoren ndaj agresorit. Më dhemb kur e them që Rusia po mbledh trupa dhe numër të madh ushtarësh. Mbi 20% e Ukrainës është sot e pushtuar. Tani Rusia ka rritur numrin e sulmeve masive mbi territorin ukrainas me përdorimin e raketave dhe dronëve të ndryshëm.
Jam mirënjohës për qeverinë shqiptare që ka zgjatur rezidencën për ukrainasit që u detyruan të largohen nga vendi i tyre. Falënderoj aleatët tanë që kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar. Dua të falënderoj bashkinë e Tiranës për ndihmën e vazhdueshme dhe një përshëndetje për të gjithë pjesëtarët e politikës shqiptare dhe përfaqësuesit e ambasadave që janë prezentë këtu ”, tha diplomati Shkurov.
Sot mbushen dy vite nga sulmi i paprovokuar rus kundrejt Ukrainës. Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar sanksione për më shumë se 500 objektiva të lidhura me Rusinë në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Moska dy vjet më parë dhe vdekjes në burg të liderit të opozitës Alexey Navalny. Masat përfaqësojnë këstin më të madh të dënimeve që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt 2022.