Lihen në burg tre fëmijët e Pëllumb Metës/Hysen Meta ndryshon sërish dëshminë: E vrau motra!
“Arrest në burg” për tre fëmijët e akuzuar për vrasjen dhe groposjen e babait të tyre Pëllumb Meta në kasollen e bagëtive në Shënavlash. Vendimi sapo u dha nga Gjykata Durrës ndaj të akuzuarve Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta. Ky i fundit, djali i vogël i familjes pranoi se ishte në dijeni të konflikteve në familje.
Unë s’kam qenë në dijeni fare, kam qenë në punë. Nuk kam vënë re gjë, nuk kam parë asnjë veprim. E dija për konfliktet, por me babin flisja rrallë. E dija që donte ta fejonte motrën, se me tha vetë motra. Kur fola me babin, bëri sikur nuk më dëgjoi.
Gjeta mamanë e shqetësuar në shtëpi dhe pastaj me tha që ishte vrarë babai. Sapo kisha ardhur nga puna. Dhe aty nisëm të kryejmë veprimet për ta fshehur. I kërkova makinën shokëve që të largonim automjetin tjetër.
Hysen Meta ndryshoi dëshminë në gjykatë. Sipas tij, e vrau motra babanë ndërsa 19-vjeçarja Hygerta sërish zgjodhi të marrë autorësinë e krimit tronditës. Ajo tha se është penduar dhe shtoi se veproi pasi babai kërkonte ta fejonte me detyrim. Hysen Meta e justifikoi ndryshimin e dëshmisë me pjesën se ishte i hutuar dhe vendosi të pranonte. Ai dhe motra përsëritën se nëna e vëllai i vogël nuk kanë patur dijeni dhe se gjurmët i fshehu me Hygertën.
Hysen Meta: Nuk e kam bërë unë vrasjen
Gjyqtarja: Kush e ka bërë?
Hyseni: Të flasë kush e ka bërë. Unë kam qenë prezent. Motra ka qëlluar babin, Hygerta…
Gjyqtarja: Kishit konflikte?
Hyseni: E qëlloi se donte ta fejonte me zor dhe kishin debatuar shumë herë. Nuk kam qenë i pranishëm gjithmonë. Babi mua nuk më pyeste për ketë pjesë! Marrëdhëniet i kam pas jo shumë të mira. Kam thënë ndryshe para oficerit sepse isha i hutuar dhe na ka ardhur keq për atë që ka ndodhur. As vëllezërve të vetë nuk u ka ardhur aq keq sa na erdhi neve.
Prokurorja: Ai ndryshon qëndrime herë pas herë. Kur ne të mbledhim provat do ta mbajmë qëndrimin tonë.
Krimi i rëndë u zbulua pak ditë më parë, ndërsa viktima Pëllumb Meta ishte denoncuar si i zhdukur, më 13 shkurt. Denoncimin e bëri pikërisht djali i madh, i cili i tha policisë se kishte humbur kontaktet me babanë. Nuk do të kalonin shumë ditë dhe ai do të përfundonte në pranga.
Fillimisht, vrasjen e mori përsipër 19-vjeçarja, Hygerta Meta, studente e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, e cila u shpreh se nuk kishte rrugëzgjidhje e se nuk pendohej. Sipas saj, “babai ishte bërë i padurueshëm, vendoste për gjithçka pa i pyetur” dhe shtoi se “gjithçka kulmoi kur e detyroi të fejohej pa dëshirë”. Por, ky variant u hodh poshtë nga familja e interesuar për këtë krushqi, duke bërë që të shtohet misteri lidhur me shkaqet që çuan në vrasjen e 49-vjeçarit.