Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë mbi 6.000 kontejnerë me municione!
Koreja e Veriut ka dërguar afër 6.700 kontejnerë me miliona municione në Rusi që nga korriku, në mbështetje të luftës së Moskës kundër Ukrainës, raportuan mediat në Korenë e Jugut duke cituar ministrin e Mbrojtjes.
Ky njoftim është sinjal se po vazhdojnë dërgesat e armëve nga Koreja e Veriut për në Rusi.
Ministri jugkorean Shin Won-sik, tha se kontejnerët mund të kenë bartur mbi 3 milionë predha të artilerisë prej 152 milimetrash, apo 500.000 predha prej 122 milimetrash.
“Mund të jetë një përzierje e këtyre dy llojeve dhe mund të themi se të paktën 7 milionë predha janë dërguar”, tha Shin, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap.
Qindra fabrika të municioneve në Korenë e Veriut po operojnë me 30 për qind të kapacitetit të tyre për shkak të mungesës së lëndës së parë dhe energjisë elektrike, por fabrikat që prodhojnë municione të artilerisë për Rusinë po operojnë “me kapacitet të plotë”, tha ai, duke mos dhënë më shumë detaje.
Seuli dhe Uashingtoni kanë akuzuar Phenianin dhe Moskën për tregti armësh dhe kanë dënuar Veriun për furnizimet me armë për Rusinë, të cilat Moska i përdor kundër Ukrainës. Të dyja shtetet kanë mohuar këto akuza edhe pse janë zotuar se do të forcojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak.
Në një dokument të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit javën e kaluar thuhej se Koreja e Veriut ka dërguar mbi 10.000 kontejnerë me municione apo materiale të tjera në Rusi që nga muaji shtator i vitit të kaluar.
Në këmbim, Koreja e Veriut ka pranuar afër 9.000 kontejnerë kryesisht me furnizime ushqimore, që sipas ministrit Shin, kanë ndihmuar në stabilizimin e çmimeve në Veri.
Shin tha po ashtu se Koreja e Veriut mund të lëshojë një satelit muajin e ardhshëm, pasi Moska ka vazhduar t’i ofrojë ndihmë teknike dhe Pheniani po ashtu ka kërkuar ndihmë sa i përket avionëve dhe pajisjeve teknologjike për lëvizshmërinë tokësore.